Konkurrenca jolojale është sfida më e madhe në tregun e sigurimeve

Agjencia do të riorganizohet, sepse qasja aktuale në të cilën të gjitha njësitë ekonomike trajtohen në mënyrë të barabartë, me të njëjtin intensitet dhe frekuencë, pavarësisht nga ekspozimi ndaj rrezikut, shkalla e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe efikasitetit në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm, ka rezultuar e papërshtatshme për kushtet dhe qëllimet të cilat duam t’i arrijmë. Deri më tani, fokusi i mbikëqyrjes ka qenë në raportet për aktivitetin e tyre në të kaluarën. Mbikëqyrja tani do të kërkojë nga subjektet ekonomike të shpjegojnë vizionin e tyre për të ardhmen dhe Agjencia do të kërkojë të parandalojë, jo të ndëshkojë.

Në periudhën e ardhshme, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve do të punojë në ndërtimin e një qasje të re të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik, e cila do të identifikojë dhe nxitë funksionimin e shëndetshëm si në drejtim të ruajtjes së aftësisë paguese dhe stabilitetit financiar të kompanive të sigurimeve, po ashtu edhe në drejtim të sjelljes së tyre në treg, transparencës dhe marrëdhënies korrekte ndaj të siguruarit. Brenda kompetencave të saj, Agjencia do të sigurojë transparencë të plotë të praktikave pozitive korporative dhe njohje në mënyrë publike  kur kënaqësia e të siguruarve me përdorimin e shërbimeve të sigurimit është e padiskutueshme, dhe kjo arrihet pa kompromentuar situatën financiare dhe aftësinë paguese, tha Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë të Mbikëqyrjes të Sigurimeve, Kërste Shajnoski.

Ju tashmë ka shtatë muaj që jeni në funksionin e Krytearit të Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. A e ndryshoni kursin dhe si e shihni rolin e Agjencisë në krijimin e mundësive për rritje dhe zhvillim të tregut të sigurimeve në RMV?

Roli i rregullatorit në periudhën e ardhshme do të dimensionohet për të qenë një pjesëmarrës i paanshëm, objektiv, profesional dhe me kohë në tregun e sigurimeve me funksionin e një gjykatësi-shpërndarës të drejtësisë, i cili do të promovojë rregulla të barabarta loje për të gjithë pjesëmarrësit në treg. Në të njëjtën kohë, intensiteti dhe qëndrueshmëria e mbikëqyrjes do të përcaktohet në varësi të profilit të përgjithshëm të rrezikut të subjekteve ekonomike, pikëpamjen e tyre për rreziqet dhe menaxhimin e tyre. Ne do të përqendrohemi në zbulimin e qartë të sjelljes së tregut të pjesëmarrësve, veçanërisht ndaj të siguruarve dhe përfituesve të sigurimeve, si në lidhjen e kontratave të sigurimit ashtu edhe në marrjen, përpilimin dhe zgjidhjen e kërkesave për dëmet dhe shumat e siguruara. Kështu, Agjencia do të jetë në funksion të zhvillimit të një tregu sigurimesh dinamik, konkurrues, të qëndrueshëm dhe transparent, në të cilin do të ofrohen shërbime të njëjta, ose të ngjashme, të sigurimit të ofruara në tregjet e zhvilluara, në kushte të njëjta ose të ngjashme dhe me çmime të përballueshme, si për numrin aktual, ashtu edhe për një numër të madh të personave të rinj të siguruar.

Ju theksuat që fokusi juaj është të siguroni një treg sigurimesh dinamik, konkurrues, të qëndrueshëm dhe transparent. Si planifikoni të siguroni rritjen e tregut të sigurimeve, në kushtet e ekspozimit ndaj rreziqeve të larta në shoqëri?

Rritja e tregut të sigurimeve është e lidhur ngushtë me zhvillimin e vazhdueshëm të sigurimeve dhe zgjerimin e tij në rritje si aktivitet. Zhvillimi i tregut nënkupton një konkurrencë të shëndetshme që sjell shumë përparësi dhe përfitime për qytetarët dhe në të njëjtën kohë do të inkurajojë një vëllim më të madh dhe shumëllojshmëri të shërbimeve që do të ishin në dispozicion të qytetarëve me çmime të arsyeshme.

Aktualisht krahasuar me vendet e tjera, tregu i sigurimeve në RMV është një nga tregjet më të pazhvilluara në Evropë, i cili në vetvete është një sfidë shtesë për menaxhmentin e ri për të punuar në rritjen dhe zhvillimin e tij.

Unë mendoj se në radhë të parë duhet të tregojmë të gjitha rreziqet ndaj të cilave shoqëria jonë është e ekspozuar, e cila përfshin sektorin e popullsisë, sipërmarrësit, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, korporatat e mëdha dhe shtetin dhe sektorin publik. Atëherë ne duhet të nxjerrim në pah shpërndarjen e shfaqjes së rreziqeve në vitet e fundit dhe dëmin e shkaktuar në popullatë dhe në pronë, dhe sa përqind e tyre ishin të siguruar dhe të paguar nga kompanitë e sigurimeve. Këto të dhëna do të tregojnë tregues edhe më të këqij të nivelit të zhvillimit të sigurimeve në Maqedoni. Kjo padyshim çon në nevojën për të ndërtuar një Strategji Kombëtare për Zhvillimin e Tregut të Sigurimeve, e cila duhet të bazohet në interesa të përbashkëta, si të sektorit privat ashtu edhe të shtetit, në mënyrë që pas dhjetë ose më shumë vitesh të mund të themi se sigurimi në vendi është zhvilluar në të njëjtin nivel ose të ngjashëm me sigurimin në vendet anëtare të BE dhe më gjerë, në tregjet financiare ndërkombëtare.

A nënkupton kjo se Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve po përgatitet për një qasje të re të funksionimit të saj?

Saktësisht, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në periudhën e ardhshme do të punojë në krijimin e një qasje të re të mbikëqyrjes të bazuar në rrezik, e cila do të identifikojë dhe nxitë operacione të shëndetshme si në drejtim të ruajtjes së aftësisë paguese dhe stabilitetit financiar të kompanive të sigurimeve ashtu edhe në aspektin e sjelljes së tyre në treg, transparencë dhe marrëdhënie korrekte me të siguruarit. Brenda kompetencave të saj, Agjencia do të sigurojë transparencë të plotë të praktikave pozitive korporative dhe njohje në mënyrë pulike,  kur kënaqësia e të siguruarve me përdorimin e shërbimeve të sigurimit është e padiskutueshme, dhe kjo arrihet pa kompromentuar situatën financiare dhe aftësinë paguese. Kjo do të stimulojë konkurrencën midis pjesëmarrësve të tregut për të përmbushur më mirë interesat e siguruesve dhe për t’i shtuar vlerë imazhit korporativ, përmes njohjes publike të politikave të tyre të biznesit. Sidoqoftë, Agjencia do të bëjë të njëjtën gjë nëse identifikon zhvillimin e dukurive negative korporative që prishin stabilitetin financiar të sektorit, sigurojnë informacion të pasaktë dhe jo të plotë në lidhje me shërbimet e sigurimit dhe ndikojnë në përkeqësimin e reputacionit të shërbimeve të sigurimit. Agjencia do të përdorë të gjitha kompetencat ligjore dhe do të propozojë ndryshime në ligjet ekzistuese, në mënyrë që të ndryshojë thelbësisht rrjedhën e mbikëqyrjes së sigurimeve dhe ta vendosë atë në shtigje të reja në drejtim të parashikimit të rreziqeve në sektorin e sigurimeve dhe menaxhimit në kohë të tyre. Agjencia do të vendosë një dialog të ri me të gjithë pjesëmarrësit e tregut, dialog i cili do të përqendrohet në të ardhmen, dhe në të cilin pjesëmarrësit e tregut do të informohen në një mënyrë të qartë dhe të thjeshtë për pritjet që Agjencia do të ketë prej tyre, qofshin ato shoqëri të sigurimeve, shoqëri të brokerimit në sigurime, shoqëri të përfaqësimi në sigurime, banka që ushtrojnë aktivitet të përfaqësimit në sigurime dhe Byroja Kombëtare e Sigurimeve, e cila nuk duhet të harrojnë se kryen një veprimtari që nuk është vetëm në interes të korporatave që e themeluan atë, por është me interes mbi të gjitha për të gjithë ne, që jemi pjesëmarrës në qarkullimin rrugor ndërkombëtar, por edhe atë vendas.

Në këto kushte, lind në mënyrë të pashmangshme pyetja se si tregu i sigurimeve ballafaqohet me pasojat e COVID-19 dhe cilat masa ka marrë Agjencia për të riparuar disa nga pasojat negative?

Menjëherë pas shpalljes të pandemisë dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve vendosi komunikim intensiv me të gjitha subjektet në sektorin e sigurimeve në mënyrë që të identifikojë kërcënimet e mundshme për vazhdimësinë e aktivitetit. Agjencia ndaloi të gjitha procedurat e filluara për kundërvajtje kundër subjekteve të mbikëqyrjes, për konstatime të detektuara më herët. Agjencia njoftoi subjektet që kanë qnë në mbikëqyrje se do të lejonte vonesa në përmbushjen e detyrimeve të raportimit. Mbikëqyrjet në terren u shtynë për një kohë të pacaktuar.

Menjëherë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend, me propozim të shoqërive të sigurimeve, Agjencia miratoi një sërë rregullash që ndryshuan rregullat ekzistuese që rregullojnë aspekte të caktuara të operacioneve në lidhje me vlerësimin e kërkesave në bazë të primeve, kategoritë e lejuara të aseteve që mbulojnë provigjonet teknike, trajtimin e dëmeve, në mënyrë që t’u mundësojnë kompanive të sigurimeve të amortizojnë goditjet fillestare të shitjeve të reduktuara sipas rezultatit financiar, aftësisë paguese dhe likuiditetit në aktivitetin e tyre. Këto ndryshime lejojnë që kompanitë e sigurimeve të jenë më fleksibile me të siguruarit, pa pësuar humbje për shkak të kërkesave rregullatore për të bërë korigjime të vlerës së kërkesave.

Trajnimet e planifikuara për përfaqësuesit në sigurime dhe brokerët në sigurime janë shtyrë gjithashtu për një kohë të pacaktuar.

Në këtë kontekst, askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë do të ndodhë në vitet e ardhshme. Sigurisht, si një organ rregullator përgjegjës për tregun e sigurimeve, ne do të monitorojmë nga afër situatën dhe brenda kompetencave tona do të marrim të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të amortizojmë goditjet nga “armiku i padukshëm”, duke mos rrezikuar stabilitetin dhe cilësinë e tregut të sigurimeve.

Në kontekstin e pyetjes së mëparshme, a keni të dhëna se si ka funksionuar shitja e policave në dy muajt e fundit?

Duke pasur parasysh analizat tona paraprake për tremujorin e parë të vitit 2020, parametrat janë pozitivë. Primi i shkruar bruto në totalin e portofolit të sigurimeve u rrit me 4,50% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019. Në të dy segmentet, është regjistruar rritje, sigurimi i jetës me 4,30%, sigurimi jo-jetë me 4,54%. Vëzhguar nga klasat e sigurimeve, rritja u regjistrua në klasat e sigurimit të zjarrit dhe klasa të tjera të rrezikut me 9,16%, autopërgjegjësia (AO) me 0,16%, përgjegjësia e përgjithshme me 3,55%, ndërsa ulje të primit është regjistrua në klasën e sigurimit kasko të automjeteve 2, 51%

Sa i përket pagesës së dëmeve në periudhën e analizuar, portofoli i përgjithshëm u rrit me 0,51% (+ 30,81% në segmentin e sigurimeve të jetës, – 2,55% në segmentin e sigurimeve jo- jetë).

Sidoqoftë, këto të dhëna nuk janë thelbësore dhe të mjaftueshme për të nxjerrë konkluzione në lidhje me rezultatet deri në fund të vitit afarist, duke pasur parasysh që gjendja e jashtëzakonshme ishte shpallur në fund të tremujorit të parë të këtij viti.

Sipas informacionit që marrim nga pjesëmarrësit e tregut, është e padiskutueshme që do të ketë një rënie të shitjeve deri në fund të vitit. Sigurimi i shëndetit të pasagjerëve në udhëtim dhe kartonat jeshilë që ofrojnë mbulim për automjetet që udhëtojnë jashtë vendit do të preken më shumë. Rënia totale e primeve pritet të jetë rreth 20%. Përkundër parashikimeve negative për trendin e primit të shkruar për vitin 2020, megjithatë, ne nuk presim një përkeqësim të përfitimit të sektorit të sigurimeve, përkundrazi, pritjet janë që do të jetë edhe më mirë, duke pasur parasysh se ka ulje të mëdha të kostove operative, edhe për sa i përket rasteve të raportuara të sigurimeve dhe dëmeve, po ashtu edhe për sa i përket kostove operative administrative dhe përvetësuese.

Këtu do të doja të theksoja se disa kompani të sigurimeve e kanë njohur këtë situatë si një mundësi për të ofruar një shtrirje të mbulimit ekzistues të sigurimeve duke përfshirë rrezikun e sëmundjes dhe/ose vdekjes për shkak të sëmundjes COVID-19, në policat ekzistuese, si dhe në policat e reja të sapokontraktuara, me të njëjtat çmime.

A janë rritur shitjet on-line dhe a do të ndikojë kjo në ndryshimin e shprehive të konsumatorëve dhe futjen e metodave të reja të punës të subjeteve ekonomike?

Shitjet on-line në tregun e sigurimeve ende nuk janë të përfaqësuara gjerësisht. Pak produkte të sigurimit janë në dispozicion për konsumatorët në internet nga një numër i vogël i subjekteve të sigurimit. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që teknologjitë e informacionit po transformojnë në mënyrë dinamike shoqërinë moderne dhe në kushte të tilla edhe sektori i sigurimeve përballet me sfidën e ndjekjes dhe përshtatjes me trendet dhe ndryshimet e reja, që nënkupton se shoqëritë e sigurimeve do të duhet të ndryshojnë dhe përshtatin modelin e tyre të  biznesit, të miratojnë teknologji të reja, të aplikojnë mjete dixhitale dhe të nxitin një kulturë ndryshimi në aktivitetet e tyre, jo vetëm në lidhjen e kontratave të sigurimit, por edhe në pranimin dhe trajtimin e dëmeve dhe kërkesave për shumat e rimbursuara.

Fokusi i klientëve dhe nevojat e tyre, mënyrat e reja të shitjes, shpërndarja e shpejtë dhe cilësia e shërbimeve do të kërkojnë në mënyrë të pashmangshme arritjen e aftësive të larta të punonjësve në kompani dhe aplikimin e metodave të reja të punës dhe vendosjen e detyrave të reja. Këtu do të doja të theksoja se për ne si rregullator, është e rëndësishme të rrisim arsimimin dhe njohuritë në lidhje me produktet e sigurimeve për konsumatorët. Të gjitha hulumtimet tregojnë se njohuritë tona financiare janë në një nivel jashtëzakonisht të ulët, gjë që në vetvete i jep një përgjigje pyetjes pse nuk kemi zhvilluar shitje on-line në nivelin që duhet të kemi. Përveç kësaj, kompanitë e sigurimeve ende përdorin modelet klasike të shitjeve, gjë që natyrisht ka një ndikim negativ në shitjet totale të policave, por edhe në shitjet on-line.

Në çdo rast, siguruesit nuk janë fajtorë për nivelin e ulët të edukimit financiar dhe shitjeve on-line. Ky është një problem në sistem që duhet të zgjidhet në realcionin rregullator, shoqëritë e sigurimeve, shoqëritë  e brokerimit, me qëllimin e vetëm, me rritjen e edukimit rritet edhe shitja e policave, dhe në këtë mënyrë përfitojnë edhe të siguruarit edhe subjektet në tregun e sigurimeve.

Cilat janë përshtypjet tuaja fillestare për sfidat me të cilat përballen kompanitë e sigurimeve? Cilat janë, në thelb, kërkesat e tyre?

Përshtypjet e mia janë se kompanitë e sigurimeve duan një mjedis të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm. Ata duan tregues të qëndrueshëm makroekonomikë, politikë fiskale dhe monetare, politikë të kursit të këmbimit, tatime. Ata duan një rregullator objektiv dhe të paanshëm që do të gjykojë në mënyrë të paanshme dhe do të mbështesë zhvillimin e një tregu të sigurimeve që do të ndëshkojë praktikat e këqija korporative dhe të krijojë një mjedis që praktikat e mira të biznesit të shpërblehen. Sfida më e madhe për momentin është konkurrenca e padrejtë, e cila është veçanërisht e dukshme në ofertat e çmimeve për shërbimet e sigurimeve në procedurat e prokurimit publik nga organet dhe institucionet shtetërore. Shpresoj se së bashku do t’i përgjigjemi këtyre sfidave në një mënyrë të drejtë dhe transparente dhe do të theksoj përsëri se sa më shumë që punojmë në edukim, aq më i lehtë do të jetë kapërcimi i sfidave.

Sidoqoftë, unë besoj se sigurimi merr rëndësinë e tij në shfaqjen e rreziqeve të siguruara, kur duhet të paguhet kompensimi për dëmet e shkaktuara nga ndodhja e rreziqeve të siguruara. Prandaj, ne duhet të theksojmë vazhdimisht, të edukojmë vazhdimisht, të gjithë ata që janë të përfshirë në anën e ofertave të sigurimeve, dhe ne si rregullator, që ofertat për çmimet e sigurimeve në procedurat e prokurimit publik mund të jenë shumë të rrezikshme pas arritjes së qëllimeve themelore të sigurimeve, dhe kjo është të sigurojë mbulim sigurimi në të gjitha rastet për të cilat i siguruari nuk është në gjendje që në mënyrë tjetër të mbrohet nga rreziqet.

Cilat janë planet tuaja për vitin e ardhshëm dhe a keni hartuar tashmë përparësitë për 2021 të cilat do të duhet të realizoni si Agjenci e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në RМV?

Deri në vitin 2021 kemi edhe 5 muaj pasiguri. Në mënyrë që të kemi pritshmëri më të sakta për vitin e ardhshëm, ne duhet të kalojmë një periudhë të trazuar disa mujore të mbushur me shumë pasiguri, jo vetëm duke u nisur direkt nga aspekti i zhvillimit të tregut të sigurimeve, por edhe zhvillimi dhe mënyra se si të veprojmë me virusin kovid i cili padyshim që do të jetë për një kohë më të gjatë me ne.

Prioritetet për Agjencinë në vitin 2021 do të jenë disa procese të cilave do t’i kushtojmë vëmendje dhe energji të barabartë. Së pari, Agjencia do të bashkëpunojë në mënyrë aktive me Ministrinë e Financave në përgatitjen e Ligjit të ri të Sigurimeve në mënyrë që të harmonizohet me rregulloren e BE-së – Aftësia paguese 2, si dhe pajtueshmëria me Direktivën e Shpërndarjes së Sigurimeve.

Së dyti, Agjencia do të angazhohet për riorganizimin e brendshëm në mënyrë që të ndryshojë qasjen aktuale të mbikëqyrjes e cila bazohet në të ashtuquajturën kontrolli ex post i pajtueshmërisë me rregulloret, në mënyrë që të vendoset një qasje e re për mbikëqyrjen e bazuar në rrezik. Ne besojmë se kjo do të kontribuojë në forcimin e paanësisë në procedura, sepse qasja aktuale, në të cilën të gjitha subjektet u trajtuan në mënyrë të barabartë, me të njëjtin intensitet dhe frekuencë, pavarësisht nga ekspozimi ndaj rrezikut, shkalla e mjaftueshmërisë së kapitalit dhe efektiviteti në funksionimin e sistemeve të brendshme të kontrollit, respektivisht qasja one-size-fits-all u tregua e papërshtatshme për kushtet dhe qëllimet që duam të arrijmë.Deri më tani, fokusi i mbikëqyrjes ka qenë në raportet e aktivitetit në të kaluarën. Mbikëqyrja tani do të kërkojë nga subjektet ekonomike të shpjegojnë pikëpamjet e tyre për të ardhmen dhe Agjencia do të këmbëngulë që të parandalojë, në vend që të ndëshkojë. Mbikëqyrja do të kërkojë që siguruesit të jenë më transparentë në lidhje me shërbimet e sigurimit dhe kujdesin për të siguruarin. Agjencia do të vihet në funksion të reklamimit falas të sigurimit në të gjitha rastet e njohjes në mënyrë publike të kënaqësisë së të siguruarit me përfitimet që kanë marrë nga sigurimi. Agjencia do të nxitë transparencën.

Së treti, Agjencia do të kërkojë nga kompanitë e sigurimeve që të jenë më transparente për gjendjen e tyre financiare dhe aftësinë paguese, menaxhimin dhe sistemet e kontrollit të brendshëm, por edhe për produktet e tyre dhe mbulimin e sigurimeve të ofruara. Agjencia do të intensifikojë komunikimin me kompanitë e sigurimeve për të theksuar hendekun që ekziston midis nevojave reale të sigurimeve në ekonomi dhe furnizimit ekzistues, në mënyrë që të mendojmë edhe në këtë drejtim.

Nuk ka dyshim se shërbimet e tregut financiar, veçanërisht të institucioneve financiare jo-bankare në shumë elemente janë të afërta dhe konkurruese, dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën .

Prandaj, paralelisht me harmonizimin e standardeve të funksionimit me vendet e BE-së, nga viti 2021 ne do të duhet të përqendrohemi në përgatitjen e terrenit për bashkimin e tre rregullatorëve AMS, Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Agjencisë për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS) në një organ të fortë dhe cilësor rregullator. Jam i bindur që në këtë mënyrë do të sigurojmë një rregullator që në të njëjtën kohë do të jetë në gjendje të kontrollojë, rregullojë, por edhe të zhvillojë tregun e kapitalit me dinamikë shumë më të shpejtë. Një rregullator i tillë do të funksionojë në mënyrë më efikase, i cili do të hapë hapësirë ​​për zhvillimin e institucioneve financiare ende të pazhvilluara dhe futjen e instrumenteve të rinj financiarë në sistemin financiar bankocentrik.

Najveći izazov u ovom trenutku je nelojalna konkurencija