Rregullatorët financiarë po forcojnë bashkëpunimin në monitorimin e sistemit financiar. Edhe në rrethanat e krijuara nga kriza e koronës, me angazhimin maksimal të secilit rregullator brenda kompetencave të tij, do të koordinohet stabiliteti financiar. Memorandumi u nënshkrua nga Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Kërste Shajnoski, Guvernatorja e Bankës Kombëtare, Anita Angelovska-Bezhoska, Ministrja e Financave, Nina Angelovska, Kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë, Nora Aliti, Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit të Pensioneve, Maksud Ali dhe Drejtori i Fondit të Sigurimit të Depozitave, Borçe Haxhiev.

Memorandumi u lidh në mënyrë që të identifikojë rreziqet sistemike në kohë dhe në mënyrë efikase përmes një koordinimi më të madh të ndërsjellë të rregullatorëve të sistemit financiar dhe të ndërmarrë veprime në përputhje me to, në mënyrë që të parandalojë dhe zvogëlojë ndikimin e tyre në sistemin financiar. Me aktivitete të koordinuara, rezistenca e sistemit tonë financiar ndaj goditjeve do të forcohet më tej dhe institucionet kompetente me një gatishmëri edhe më të madhe do të menaxhojnë sfidat për sistemin.

Sipas parashikimeve të Memorandumit, përmirësohet roli dhe zgjeroher përbërja e Komitetit të Stabilitetit Financiar, duke ndjekur shembullin e Bordit Evropian për Rreziqet Sistemike. Deri më tani, Komiteti ka qenë i përbërë vetëm nga përfaqësues të Bankës Kombëtare dhe Ministrisë së Financave. Tani e tutje, të gjithë rregullatorët e sistemit financiar marrin pjesë në punën e Komitetit ndërsa koordinatore kombëtare  e Komitetit është Guvernatorja e Bankës Kombëtare, Anita Angelovska-Bezhoska.

Brenda Komitetit, si organe operative do të funksionojnë dy nënkomitete – Nënkomiteti për Monitorimin e Rreziqeve Sistemike dhe Propozimin e Masave Makroprudenciale dhe Nënkomitetit për Përgatitjen për Menaxhimin e Krizave Financiare. Për të arritur qëllimet e përcaktuara, për të dhënë rekomandime dhe për të ndërmarrë veprime të duhura, Komiteti do të koordinojë analizën e situatës në sistemin financiar, si dhe rregullativat që mund të kenë ndikim në stabilitetin financiar.