Rënia e të ardhurave të shoqërive të sigurimeve me 5 për qind vitin e kaluar, zbatimi i standardeve më të larta për mbrojtjen e policëmbajtësve dhe forcimi i aftësisë paguese të shoqërive, si dhe ndryshimet në rregullat për llogaritjen e provigjoneve teknike janë arsyet kryesore për justifikimin e rekomandimit të AMS-së.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) ka këshilluar shoqëritë e sigurimeve, të cilat vitin 2020 e mbyllën me fitim, këtë vit të mos ndajnë dividentë. Rekomandimi u është dërguar sot të gjitha shoqërive të sigurimeve në tregun e brendshëm të sigurimeve.
AMS-ja, duke marrë parasysh situatën në tregun e sigurimeve në kontekstin aktual, vendosi se ekzistojnë disa rrethana objektive që justifikojnë plotësisht rekomandimin për të mos u paguar dividentë. Një nga faktorët kryesorë për këtë rekoandim është fakti që të ardhurat totale të primit të shkruar bruto (PSHB) të të gjithë tregut të sigurimeve vitin e kaluar u ulën me 5 për qind krahasuar me një vit më parë. Përveç sa më sipër, miratimi i këtij rekomandimit ndikohet nga fakti që nga fillimi i vitit, mjetet e arkëtueshme nuk do të njihen si mjete për të mbuluar provigjonet teknike të shoqërive të sigurimeve.
Në mënyrë që të rritet mbrojtja e të drejtave të të siguruarve, respektivisht blerësve të policave të sigurimit dhe në të njëjtën kohë për të forcuar aftësinë paguese dhe stabilitetin e shoqërive të sigurimeve, AMS-ja miratoi tre rregullore thelbësore, zbatimi i të cilave hyri në fuqi në fillim të këtij viti. Zbatimi i këtyre rregullave për shoqëritë e sigurimeve nënkupton investime shtesë të fondeve dhe burimeve.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ i pavarur rregullator, i themeluar në vitin 2009, i cili rregullon tregun e sigurimeve dhe kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të policëmbajtësve dhe zhvillimin e perceptimit të rëndësisë së sigurimeve.