Pas një pauze prej gjashtë vitesh, në tregun vendas të sigurimeve të jetës po themelohet një shoqëri e re e sigurimeve me  një investim slloven me vlerë prej 4 milionë eurosh.

Ky investim është dëshmi se menaxhmenti aktual i AMS-së në bashkëpunim me institucionet e tjera financiare përmirëson në mënyrë aktive klimën e biznesit dhe krijon kushte për investime në biznesin e sigurimeve.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) i ka dhënë licencën për ushtrimin e aktiviteteve të sigurimeve shoqërisë së sapokrijuar të sigurimeve “Prva Zhivot”. Kjo kompani do të ofrojë sigurimin e jetës në tregun tonë të sigurimeve. Themeluesi dhe pronari i vetëm i kompanisë së sapokrijuar të sigurimit të jetës është Holdingu Slloven i Sigurimeve “PRVA GRUP (SKUPINA PRVA, zavararovalniski holding, d.d).

Grupi Slloven është një holding i njohur që prej dy dekadash menaxhon fondet e pensioneve në Slloveni, Serbi, Maqedoni dhe Kosovë. Grupi ka një kompani sigurimesh në Slloveni dhe hyrja e tyre në tregun tonë të sigurimeve pritet të përmirësojë konkurrencën në këtë sektor dhe të kontribuojë në pasurimin e ofertës së produkteve të sigurimit të jetës.

Në shoqërinë e sapokrijuar të sigurimeve, kompania sllovene investoi 4 milionë euro, sa është shuma e kapitalit themelues të “Prva Zhivot”. Fondet janë depozituar në një llogari të veçantë valutore të bankës qendrore.

Këshilli i Ekspertëve të AMS-së në seancë të rregullt e ka miratuar vendimin për dhënien  e licencës me të cilën “Prva Zhivot” do të ushtrojë aktivitete të sigurimeve në kuadër të grupit të sigurimeve të jetës në klasën 19 – sigurimi i jetës.

Në gjashtë muajt e parë qytetarët në pesë kompanitë e sigurimit të jetës kanë investuar mbi 14 milionë euro në sigurime të jetës.

“Prva Zhivot” do të fillojë me punë brenda gjashtë muajve nga dita e dhënies së lejes së punës, ndërsa selia e kompanisë do të jetë në Shkup. Anëtar ekzekutiv i bordit të drejtorëve është emëruar Predrag Milloshevski.

AMS-ja e obligoi kompaninë që të caktojë një aktuar të autorizuar brenda dy muajve nga regjistrimi i kompanisë në regjistrin tregtar.

“Prva Zhivot” do të jetë kompania e gjashtë në tregun maqedonas të sigurimeve të jetës, ku aktualisht operojnë “Kroacija Osigruvanje – Jetë”, “Triglav Jetë”, “Grave”, “Viner Lajf VIG” dhe “Unika Lajf”.

Tregu ynë i sigurimeve investon në tre grupe të produkteve të sigurimit të jetës. Investimet në sigurime me komponent kursimin kanë peshën më të madhe në sigurimin total të jetës. Ky produkt i mundëson të siguruarit të marrë fondet e investuara të rritura me interes pas skadimit të kontratës së sigurimit. Pagesat e të siguruarve që kanë këtë lloj sigurimi investohen në depozita bankare në obligacione shtetërore ose instrumente të tjera financiare pa rrezik.

Të dhënat zyrtare të shoqërive të sigurimeve të jetës tregojnë se rritja më e madhe në shitje është tek sigurimi i jetës që nuk ka komponent kursimi. Me të, në rast vdekjeje, për kohëzgjatjen e kontratës, shuma e sigurimit i paguhet një familjari ose një përfituesi tjetër të sigurimit. Por nëse rreziku nuk ndodh deri në skadimin e kontratës së sigurimit, të gjitha fondet e investuara mbahen nga shoqëria e sigurimit që ka marrë përsipër rrezikun për të paguar fondet në rast vdekjeje të të siguruarit.

Sigurimi në të cilin rreziku i investimit të fondeve e merr përsipër i siguruari është produkti më i ri i sigurimit nga gama e sigurimeve të jetës në tregun tonë. Ky produkt njihet gjerësisht si sigurim “junit linkd”. Në këtë sigurim, një pjesë e konsiderueshme e parave investohen në fonde investimi, të përzgjedhura nga të siguruarit, çmimet e tregut të të cilëve varen nga lëvizjet e tregjeve rajonale dhe botërore të kapitalit.