Shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira me qëllim të mbrojtjes më të madhe të të siguruarve apo poliëmbajtësve dhe ngritjen e vazhdueshme të nivelit të edukimit financiar të tyre ishin temat kryesore të diskutuara nga përfaqësues të organeve rregullatore të sigurimeve të vendeve të Evropës Juglindore, industrisë të sigurimeve dhe aktorëve të tjerë në sesionin e sotëm të organizuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes të Sigurimeve (AMS) dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) me mbështetjen e Ministrisë së Financave të Mbretërisë së Holandës në kuadër të projektit për edukim financiar.

Në konferencën e sotme online me titull “Përvojat dhe praktikat” të organizuar në pesë sesione, më shumë se pesëdhjetë pjesëmarrës nga vendi dhe vendet e Evropës Juglindore i prezantuan përvojat, rezultatet e analizës së politikave, masave dhe mjeteve të përdorura nga rregullatorët e sigurimeve për mbrojtjen e të siguruarve.

U diskutuan edhe efektet e aktiviteteve për ngritjen e nivelit të edukimit financiar dhe përfshirjen e popullsisë në rrjedhat financiare në vendet e EJL-së. Në një prej sesioneve u debatua edhe për efektet e shkaktuara nga pandemia shëndetësore dhe masat e marra nga organet rregullatore për mbrojtjen e të siguruarve.

Mbrojtja e konsumatorëve, së bashku me edukimin financiar dhe aksesin në shërbimet financiare, është baza për një përfshirje më të madhe financiare. Mbrojtja e konsumatorit përfshin: ofrimin e informacionit të saktë dhe në kohë të konsumatorëve për vendimmarrje të bazuar në informacion, mungesën e praktikave të padrejta dhe mashtruese kontraktuese dhe aksesin në mekanizmat për zgjidhjen e shkeljeve të të drejtave të konsumatorëve.

Edukimi financiar dhe mbrojtja e konsumatorit, respektivisht policëmbajtësit janë aktivitete të cilave AMS i jep prioritet dhe i ndërmerr në vazhdimësi në kuadër të kompetencave të saj për zhvillimin e tregut të sigurimeve si dhe ndërgjegjësimin e publikut për rolin e sigurimeve. AMS i kushton vëmendje të veçantë inkurajimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve përkatëse dhe bashkëpunimit me instancat e tjera përmes zbatimit të programeve dhe aktiviteteve arsimore për mbështetjen dhe përmirësimin e edukimit financiar te popullata. Ndërkombëtarisht, AMS merr pjesë aktive në projekte dypalëshe dhe shumëkombëshe për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare.

AMS në bashkëpunim me rregullatorë të tjerë financiarë: Bankën Popullore, Ministrinë e Financave, MAPAS dhe KLV miratuan një strategji të përbashkët kombëtare për përfshirjen e edukimit financiar të popullatës. Ky është një dokument kombëtar strategjik që identifikon qëllimet e organeve rregullatore, njeh prioritetet për veprim dhe përcakton dinamikën, masat dhe aktivitetet për rritjen e edukimit financiar të popullsisë, përfshirjen e tyre dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre që rrjedhin nga përdorimi i gamës së shërbimeve financiare ndër të cilat bëjnë pjesë edhe sigurimet.