Njohuritë financiare si aftësi jetësore – roli i sigurimeve
Ekipi i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, i udhëhequr nga koordinatorja Ratka Celakovski, mbajti një seminar edukativ me nxënës të vitit të tretë dhe të katërt nga shkolla e mesme profesionale “Saba” në Shkup, kushtuar rolit të sigurimeve në menaxhimin e riskut dhe përgjegjësive të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve si rregullator.
“Më trego dhe do të harroj. Më mëso dhe ndoshta do të kujtoj. Më përfshi dhe do të mësoj” – ky mendim pasqyron thelbin e seminarit, në të cilin nxënësit u inkurajuan të marrin pjesë aktive, të mendojnë dhe të perceptojnë lidhjen midis zgjedhjeve të përditshme financiare.
Përmes aktiviteteve të tilla, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve konfirmon angazhimin e saj për forcimin e ndërgjegjësimit për sigurimet tek të rinjtë dhe mbështetjen e procesit arsimor. Bashkëpunimi me shkollat është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të brezave që do të jenë në gjendje të kuptojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre, të menaxhojnë financat e tyre me përgjegjësi dhe të njohin rëndësinë e sigurimeve në kohën e duhur.
Vizita në “Saba” është pjesë e aktiviteteve të AMS-së me të cilën marrim pjesë aktive në Ditët e Edukimit Financiar të organizuara nga rregullatorët financiarë: AMS, KLV, MAPAS, Banka Popullore dhe Ministria e Financave.
Agjencia e Mbikëqyrjes të Sigurimeve me pjesëmarrje në Takimin vjetor në OECD/INFE në Erevan
Përfaqësues i Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve mori pjesë në Takimin Vjetor kushtuar projektit të Programit Teknik të OECD-INFE për Edukimin Financiar, i cili u mbajt nga 29 shtatori deri më 1 tetor 2026 në Jerevan, Republika e Armenisë.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve përkatëse nga vendet e përfshira në program, me qëllim shkëmbimin e përvojave, praktikave të mira dhe politikave në fushën e edukimit financiar, përfshirjes financiare dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Fokusi i takimit ishte në mundësitë për promovimin e njohurive financiare, inkurajimin e sjelljes së përgjegjshme financiare dhe forcimin e vendimmarrjes së informuar gjatë përdorimit të produkteve dhe shërbimeve financiare. U shqyrtuan rezultatet e anketës ndërkombëtare mbi njohuritë financiare, përfshirjen dhe mirëqenien e të rriturve, si dhe çështje që lidhen me strategjitë kombëtare të njohurive financiare, monitorimin dhe vlerësimin e tyre, borxhin e konsumatorëve, përdorimin e mediave digjitale dhe sociale në promovimin e edukimit financiar.
Veçanërisht e rëndësishme ishte pjesëmarrja e përfaqësuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve si panelist në sesionin kushtuar përfshirjes së subjekteve të tregut të sigurimeve në nismat e njohurive financiare. Diskutimi në panel theksoi rëndësinë e njohurive financiare dhe të sigurimeve si pjesë e edukimit financiar dhe përfshirjes financiare. Njohja më e mirë e produkteve të sigurimit, rreziqeve, mbulimit dhe përjashtimeve, si dhe e të drejtave dhe detyrimeve të policëmbajtësve mund të kontribuojë në një qëndrueshmëri më të madhe financiare dhe mbrojtje më të mirë të policëmbajtësve, përdoruesve të produkteve dhe shërbimeve të sigurimit dhe palëve të treta që pretendojnë dëmshpërblim.
Pjesëmarrja e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, avancimin e qasjeve në fushën e edukimit financiar dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare, me qëllim formimin e qytetarëve më të informuar financiarisht.

NJOFTIM
Pas reagimeve nga policëmbajtësit të cilët morën njoftim nga Euroins Osiguruvanje SHA Shkup në lidhje me policat e sigurimit të lidhura me ndërmjetësimin e Shoqërisë të Brokerimit në Sigurime SN Osiguritelen Broker SHA Manastir – në procedurë falimentimi, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve kërkoi sqarime shtesë nga Shoqëria dhe dha udhëzime për informacion të duhur, të saktë dhe të plotë për policëmbajtësit, me qëllim mbrojtjen e interesave të tyre në përputhje me rregulloret ligjore në fuqi.
Duke vepruar sipas udhëzimeve të Agjencisë, shoqëria publikoi në faqen e saj të internetit më 6.10.2026 një deklaratë “NJOFITIM PËR OPINIONIN PËR KËRKESAT NË PROCEDURAT E FALIMENTIMIT NGA SN OSIGURITELEN BROKER SHA Manastir – në falimentim”.
Në Njoftim, Euroins Osiguruvanje SHA Shkup shpreh keqardhjen e saj nëse shkresat e paraqitura kanë shkaktuar keqkuptime ose shqetësim nga ana e të siguruarve në lidhje me qëllimin dhe kuptimin e njoftimeve, sqaron qëllimin e letrave të paraqitura dhe thekson se njoftimet nuk përbëjnë një kërkesë për pagesë, një kujtesë për pagesë ose një bazë për ndërmarrjen e veprimeve për arkëtim të detyruar kundër të siguruarit, por qëllimi i njoftimeve të paraqitura është të sigurojnë informacione dhe prova për nevojat e një procedure gjyqësore që Shoqëria po zhvillon në lidhje me kërkesat që Shoqëria ka kundër Shoqërisë të Brokerimit në Sigurime SN Osiguriterlen Broker SHA Manastir në procedurë falimentimi.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve po e monitoron nga afër situatën dhe në kuadër të kompetencave të saj ligjore, po ndërmerr aktivitete të përshtatshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e të siguruarve.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve
KONKURS PËR NXËNËSIT E ARSIMIT FILLOR DHE TË MESËM ME RASTIN E DITËS SË SIGURIMEVE – 1 NËNTORIT
Në bazë të Vendimit për shpalljen e Konkursit për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm, me rastin e Ditës së Sigurimeve – 1 Nëntorit, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve shpall
KONKURS PËR NXËNËSIT E ARSIMIT FILLOR DHE TË MESËM
me rastin e Ditës së Sigurimeve – 1 Nëntorit
TEMAT DHE KUSHTET E KONKURSIT PËR NXËNËSIT E ARSIMIT FILLOR
Nxënësit nga klasa e 1-rë deri në klasën e 5-të mund të dërgojnë një punim artistik (vizatim/vizatim digjital), me temën:
“Si kujdesemi për atë që është e rëndësishme për ne”
Shpjegim: Përmes vizatimit, nxënësit të tregojnë se çfarë është e rëndësishme për ta në jetë dhe si mund të mbrohemi nga rreziqe të ndryshme dhe ngjarje të papritura. Vizatimi mund të paraqesë rolin e sigurimit në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes së familjes, shtëpisë, shëndetit, kafshëve shtëpiake ose vlerave të tjera që kanë rëndësi për ne.

Nxënësit nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të mund të dërgojnë një punim letrar (poezi), me temën:
“Të përgjegjshëm sot, më të sigurt nesër”
Shpjegim: Përmes poezisë, nxënësit të shprehin vizionin e tyre për përgjegjësinë, edukimin financiar dhe rëndësinë e sigurimit në mbrojtjen nga rreziqet dhe krijimin e një të ardhmeje më të sigurt.
Për punimet më të mira të përzgjedhura të nxënësve të arsimit fillor do të ndahen gjithsej 6 çmime:
– 3 çmime për punimin më të mirë artistik (vizatim/vizatim digjital), për nxënësit nga klasa e 1-rë deri në klasën e 5-të;
– 3 çmime për punimin më të mirë letrar (poezi), për nxënësit nga klasa e 6-të deri në klasën e 9-të;
Nxënësve të arsimit fillor që do të marrin çmime do t’u ndahet shpërblim në para në shumë prej 5.000,00 denarësh, i cili do të paguhet në një llogari pagese në bankë sipas zgjedhjes së tyre.
Dëshironi të mësoni më shumë për edukimin financiar dhe sigurimet? Hulumtoni përmbajtjet informative-edukative në faqen e internetit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, www.edukacija.aso.mk, dhe gjeni frymëzim për punimin tuaj.www.edukacija.aso.mk
TEMAT DHE KUSHTET E KONKURSIT PËR NXËNËSIT E ARSIMIT TË MESËM
Nxënësit e arsimit të mesëm mund të dërgojnë një punim letrar (tregim/ese) me temën:
“Edukimi financiar si aftësi jetësore: Roli i sigurimit”
Shpjegim: Përmes esesë/tregimit, nxënësit të shpjegojnë se si sigurimi ndihmon në menaxhimin e rreziqeve, siguron siguri financiare dhe kontribuon në stabilitetin e individit dhe të shoqërisë.
Tregimi/eseja duhet të ketë më së shumti 1.800 fjalë. Përmes tregimit/esesë, nxënësit të shprehin qëndrimin dhe mendimin e tyre personal për rëndësinë e edukimit financiar dhe rolin e sigurimit në mbrojtjen nga rreziqet. Në punim mund të përfshijnë njohuritë dhe përvojat e tyre lidhur me sigurimin; punimi mund të bazohet në një situatë reale ose të trilluar jetësore, përmes së cilës do të paraqiten rëndësia e sigurimit, marrja e vendimeve për posedimin e një police sigurimi, nevoja për edukim financiar, si dhe qëndrimet dhe shprehitë familjare të të rinjve ndaj sigurimit.
Tre nxënësve të arsimit të mesëm që do të marrin çmime do t’u ndahet shpërblim në para në shumë prej 8.000 denarësh për secilin, i cili do të paguhet në një llogari pagese në bankë sipas zgjedhjes së tyre.
Dëshironi të mësoni më shumë për edukimin financiar dhe sigurimet? Hulumtoni përmbajtjet informative-edukative në faqen e internetit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, www.edukacija.aso.mk, dhe gjeni frymëzim për punimin tuaj.www.edukacija.aso.mk
KUSHTET E PËRBASHKËTA QË VLEJNË PËR NXËNËSIT E ARSIMIT FILLOR DHE TË MESËM:
Afati i fundit për dorëzimin e punimeve është 16 tetor (e premte) 2026.
Ju lutemi t’i nënshkruani punimet, duke i shënuar detyrimisht të dhënat e mëposhtme:
- Emri dhe mbiemri i nxënësit,
- Emri i shkollës ku nxënësi ndjek mësimin (klasa/viti/komuna/fshati/qyteti),
- Emri dhe mbiemri i prindit/kujdestarit, me adresën e banimit, dhe
- Numri i telefonit dhe adresa elektronike për kontakt i prindit/kujdestarit /mësuesit/profesorit
MËNYRA E DORËZIMIT TË PUNIMEVE:
Punimet artistike:
– vizatimi duhet të dorëzohet vetëm në arkivin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve ose përmes postës së rregullt,
– vizatimi digjital duhet të dërgohet vetëm në adresën elektronike [email protected].[email protected]
Punimet letrare (poezi, tregim/ese) mund të dorëzohen:
- në arkivin e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve,
- përmes postës së rregullt ose
- në adresën elektronike: [email protected]
Adresa për dorëzim përmes postës me shënimin:
“Për konkursin me rastin e Ditës së Sigurimeve – 1 Nëntorit”
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve
Rr. Maqedonia nr. 25, Pallati Llazar Pop Trajkov, kati 5, 1000 Shkup
Punimet e pranuara do të shqyrtohen dhe vlerësohen nga një Komision profesional për përzgjedhjen e punimit më të mirë artistik – vizatim/vizatim digjital, punimit më të mirë letrar – poezi, për nxënësit e arsimit fillor, dhe punimit më të mirë letrar – tregim/ese, për nxënësit e arsimit të mesëm.
Lista e nxënësve të shpërblyer do të publikohet brenda datës 30 tetor (e premte) 2026, në faqen e internetit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve www.aso.mk dhe në faqen edukative të internetit https://edukacija.aso.mk; www.aso.mk; https://edukacija.aso.mk/
Për informacione më të hollësishme lidhur me Konkursin, ju lutemi drejtohuni në adresën elektronike të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve [email protected]; [email protected]
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve e organizon këtë konkurs që nga viti 2018, me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit të të rinjve për edukimin financiar, rolin e sigurimit dhe rëndësinë e menaxhimit të përgjegjshëm të rreziqeve. Përmes shprehjes krijuese, konkursi kontribuon në mbështetjen dhe plotësimin e arsimit formal, duke i nxitur nxënësit të fitojnë njohuri dhe aftësi të rëndësishme për marrjen e vendimeve të informuara në jetën e përditshme.

