Gjithsej 600 fermerë individualë dhe pesëdhjetë kompani të tjera agrare për tre muajt e parë të këtij viti siguruan të korrat, të mbjellat dhe kafshët e tyre. Së shpejti sigurimet bujqësore do të bëhen të detyrueshme me ligj dhe për rrjedhojë pjesëmarrja e tyre në tregun e sigurimeve do të rritet ndjeshëm. Qëllimi i kësaj reforme është të ulë ndjeshëm koston e sigurimeve duke rritur masën dhe në të njëjtën kohë me grumbullimin e fondeve të fermerëve të siguruar të krijohen fonde të mëdha nga të cilat do të paguahen dëmet që mund të shkaktojnë fatkeqësi natyrore dhe veçanërisht ndryshimet aktuale klimatike.

Më shumë se 650 fermerë individualë dhe kompani agrare kanë investuar 118,6 milionë denarë (1,93 milionë euro) në sigurimin e të korrave, të mbjellave dhe të kafshëve për tre muajt e parë të këtij viti, tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë të Mbikëqyrjes të Sigurimeve (AMS).

 

Gjithsej 600 fermerë në tremujorin e parë të këtij viti kanë investuar në sigurimin e prodhimit të tyre bujqësor. Për sigurimin e të korrave dhe të mbjellave në këtë periudhë janë lidhur 444 kontrata sigurimi në të cilat fermerët kanë investuar 81 milionë denarë (mbi 1,3 milionë euro). Fermerët kanë investuar mbi 23 milionë denarë (380.000 euro) në sigurimin e kafshëve të tyre dhe kanë lidhur 156 kontrata me kompanitë e sigurimit.

 

Kompanitë bujqësore gjatë kësaj periudhe kanë investuar 14,4 milionë denarë (234.000 euro) në sigurimin e prodhimit të tyre bujqësor, kafshëve dhe shpezëve. Prej tyre, 5.5 milionë denarë (89.000 euro) janë për sigurimin e të korrave dhe të mbjellave, ndërsa 8.9 milionë denarë (145.000 euro) janë për sigurimin e bagëtive.

 

Kompanitë e sigurimeve në tre muajt e parë kanë paguar 24,1 milionë denarë (391.000 euro) për dëmet e mbuluara nga sigurimet bujqësore. Janë paguar 331 dëme për fermerët për sigurimin e kafshëve dhe 6 dëme për sigurimin e të korrave dhe të mbjellave.

 

Vitin e kaluar, gjithsej investimet në sigurime bujqësore ishin 547 milionë denarë (8,9 milionë euro). Janë lidhur gjithsej 3858 kontrata për sigurimin e të mbjellave, të korrave dhe bagëtive. Gati 3,000 nga ato kontrata janë lidhur nga fermerë individualë që siguruan të mbjellat dhe të korrat e tyre, ndërsa më shumë se 500 fermerë investuan në sigurimin e bagëtive dhe shpendëve të tyre. Vitin e kaluar 376 kompani bujqësore kanë pasur sigurimin e të mbjellave, të korrave dhe bagëtive.

 

Kompanitë e sigurimeve për vitin 2021 kanë paguar gjithsej 355,6 milionë denarë (5,8 milionë euro) dëmshpërblim për sigurimin e  bagëtive, të mbjellave dhe të korrave.
Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ rregullator i pavarur, i cili rregullon tregun e sigurimeve, kryen mbikëqyrje të aktivitetit të shoqërive të sigurimeve  dhe kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të personave të siguruar ose policëmbajtësve dhe kontribuon në edukimin financiar të popullatës.