Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) u ka rekomanduar të gjitha kompanive të sigurimeve që të distancohen nga pagesa e dividentëve për aktivitet apo veprimtari të suksesshme në vitin 2021, vendosi Këshilli i Ekspertëve (organi drejtues) i AMS-së në seancën e fundit të mbajtur më 10 mars.

AMS-ja u rekomandon të gjitha kompanive të sigurimit që e mbyllën vitin e kaluar me fitim që t’i përdorin ato fonde për të riinvestuar në biznesin e sigurimeve ose për të rritur rezervat apo provigjonet e kompanive.

Në të njëjtën kohë, AMS-ja u rekomandon kompanive që planifikojnë të paguajnë dividenda për aksionarët, t’i ruajnë ato asete dhe eventualisht t’i përdorin për të mbuluar detyrime të paparashikuara dhe të papritura nga operimi deri në fund të vitit 2022.

Ky rekomandim është bërë nga AMS-ja bazuar në vlerësimin e rreziqeve që lidhen me klimën aktuale ekonomike dhe efektet e mundshme ndaj veprimtarisë, përkatësisht likuiditetit, aftësinë paguese dhe mjaftueshmërinë e kapitalit të shoqërive të sigurimeve.

Nga gjithsej 16 shoqëri sigurimesh, dhjetë kompani sigurimesh e përfunduan vitin e kaluar me fitim nga veprimtaria e tyre. Gjashtë prej tyre janë shoqëri të sigurimeve jo-jetë dhe katër janë kompani të sigurimeve të jetës.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ rregullator i pavarur, i cili normativizon  tregun e sigurimeve, kryen mbikëqyrje të aktivitetit të shoqërive të sigurimeve  dhe kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të personave të siguruar ose policëmbajtësve dhe kontribuon në edukimin financiar dhe përfshirjen financiare të popullatës.