Me iniciativën e rregullatorit të tregut të sigurimeve AMS, të gjitha shoqëritë e sigurimeve dhe më shumë se gjysma e të gjitha shoqërive të brokerimit të sigurimeve u bashkuan duke krijuar një platformë për edukimin financiar në sigurime. Qëllimi është që qytetarët të marrin informacion të plotë, të qartë për kushtet dhe çmimet e sigurimit, si dhe për të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kontratat e sigurimit, përmes aktiviteteve të bashkë-koordinuara.

Të 17 shoqëritë e sigurimeve, Byroja Kombëtare e Sigurimeve dhe 25 shoqëri të tjera të brokerimit në sigurime me iniciativën e Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) bashkojnë forcat dhe bashkërendojnë aktivitetet për rritjen e nivelit të edukimit financiar në sigurime. Për këtë qëllim, këto 42 kompani nga industria e sigurimeve dhe rregullatori i tregut të sigurimeve AMS-ja kanë lidhur një memorandum bashkëpunimi që synon aktivitete të përbashkëta dhe të koordinuara në këtë fushë.

Të gjithë anëtarët e platformës për edukim financiar në sigurime deklaruan se me nënshkrimin e memorandumit do të inkurajojnë, zhvillojnë dhe zbatojnë në mënyrë aktive aktivitete që përmes edukimit financiar do të avancojnë mbrojtjen e të drejtave të të siguruarve. Të gjitha masat dhe aktivitetet e parashikuara në memorandum synojnë zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sigurimeve dhe do të kontribuojnë në rritjen e nivelit të përfshirjes financiare të popullsisë.

Secila prej këtyre 43 kompanive (shoqëritë e sigurimeve dhe shoqëritë e brokerimit në sigurime) do të sjellin një plan aktivitetesh për rritjen e edukimit financiar të popullatës në fushën e sigurimeve. Më pas, në bazë të këtyre planeve, të gjitha kompanitë do të përcaktojnë aktivitete të përbashkëta me të cilat, përmes promovimit të koordinuar të edukimit financiar, do të ndërgjegjësojnë publikun për rëndësinë e sigurimeve.

Një nga qëllimet më të rëndësishme që duhet të arrihet me këtë bashkëpunim është që të mundësohet që sa më shumë qytetarë të marrin informacion të plotë, të qartë dhe të krahasueshëm për kushtet e sigurimit dhe çmimet e policave. Në të njëjtën kohë, për të rritur ndërgjegjësimin për të drejtat e tyre që rrjedhin nga kontratat e sigurimit.

Ndër të tjera, ky bashkëpunim ndërmjet kompanive dhe AMS-së synon të afirmojë dhe mbështesë qasjen e ndërmjetësimit, pra mundësinë e zgjidhjes jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve.

Kompanitë deklaruan se ofrojnë mbështetje për stimulimin e inovacioneve financiare për zhvillimin e tregut të sigurimeve dhe do të marrin pjesë aktive në krijimin e një platforme për krahasimin e produkteve të sigurimit.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të AMS-së në kuadër të strategjisë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare, e cila është pjesë e angazhimit të të gjithë rregullatorëve financiarë për përmirësimin e situatës në sektorin financiar në vend.