Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, bazuar në ankimimet e marra nga policëmbajtësit e pakënaqur, AMS-ja, për tre kompani sigurimesh, vendosi katër masa, dy prej të cilave janë gjoba.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), përfshirë 30 qershorin e këtij viti, ka marrë 82 ankimime nga persona të siguruar të cilët ishin të pakënaqur me punën e kompanive të sigurimeve. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, këtë vit numri i ankimimeve të paraqitura është dyfishuar.

Nga gjithsej 82 ankimime në gjysmën e parë të këtij viti, 16 u zgjidhën në favor të aplikantëve, respektivisht, policëmbajtësve të cilët në AMS raportuan se ishin të pakënaqur me mënyrën se si kompania zgjidhi dëmin e raportuar. Kjo është për 220 për qind më shumë ankimime të zgjidhura në favor të të siguruarve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në 21 raste arsyeja e ankimimit ishte shuma e kompensimit e ofruar nga shoqëria e sigurimeve për të kompensuar dëmin. Këto ankimime nuk procesohen sepse AMS-ja nuk vendos për shumën e kompensimit të ofruar. Në favor të shoqërive të sigurimeve janë zgjidhur 34 nga të gjitha ankimimet e paraqitura. Shtatë ankimime u konfirmuan si të pabazuara apo pa kritere, dy u tërhoqën nga aplikuesit dhe për dy të tjera procedurat janë në vazhdim.

Sa i përket llojit të sigurimit, shumica e ankimimeve – 33 u paraqitën për dëmet nga auto-përgjegjësia (klasa më e zakonshme e sigurimit e cila është e detyrueshme me ligj). Për kërkesat për dëmet e mbuluara nga sigurimi i aksidenteve, u paraqitën 19 ankimime dhe nëntë u paraqitën lidhur me pakënaqësitë e të siguruarave për pronat e siguruara. Pesë ankimime janë për sigurimin e jetës, dy për sigurimin shëndetësor dhe nga një për sigurimin e të korrave dhe të mbjellave, sigurimin e shëndetit në udhëtim, sigurimin kasko, sigurimin e humbjeve financiare dhe sigurimet e tjera të përgjegjësisë. Janë paraqitur dy ankimime për llojet e tjera të sigurimeve.

Arsyeja e pakënaqësisë së personave të siguruar gjatë paraqitjes së ankimimit në 29 raste ishte kriteri për pagesën e dëmeve dhe në 21 raste shuma e kompensimit. Pesë parashtrues u ankuan për afatin brenda të cilit kompania duhet t’i përgjigjet ankimimit. Katër ankimime kanë të bëjnë me afatin për trajtimin e dëmit dhe pagesën e kompensimit, dhe dy për shumën e rekursit. Dhjetë ankimime të tjera u paraqitën për arsye të tjera.

Shumica e ankimimeve në gjysmën e parë të këtij viti u regjistruan për “Unika” – 13. Nëntë ankimime u parashtruan për “Halk Osiguruvanje”, “Grave Jo-Jetë” dhe “Eurolink Osiguruvanje”. Tetë për “Viner”, nga pesë ankimime janë parashtruar nga policëmbajtës të “Kroacia Jetë ” dhe “Euroins”. Katër ankimime u ngritën kundër “Sava Osiguruvanje”, “Triglav Osiguruvanje” dhe “Osiguritelna Polisa”. Nga një ankimim  është parashtruar  për: ADOR “Makedonia”, “Kroacia Osiguruvanje – Jo-Jetë”, “Grave”, Byronë Nacionale të Sigurimeve dhe Shoqërinë e Brokerimit në Sigurime “SN Broker”. Gjatë kësaj periudhe, nuk ka ankimime nga policëmbajtësit e: “Viener Lajf”, “Triglav Jetë” dhe “Unika Jetë”.

Nga numri i përgjithshëm i ankimimeve të parashtruara, 67 janë parashtruar nga qytetarë dhe 15 janë parashtruar nga persona juridikë.

Ankimimi parashtrohet në AMS nëse i siguruari nuk është i kënaqur me përgjigjen e shoqërisë të sigurimeve për kompensimin e dëmit ose nuk ka marrë një përgjigje brenda 30 ditëve. AMS-ja nuk shqyrton ankimime anonime ose rastet për të cilat zhvillohet proces gjyqësor ose ndonj procedurë tjetër.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ rregullator i pavarur që normativizon tregun e sigurimeve, mbikëqyr punën e shoqërive të sigurimeve, kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të të siguruarve dhe kontribuon në edukimin financiar të popullatës.