Kompanitë e sigurimeve kanë paguar 35.163 dëme për sigurimet jo-jetë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, nga të cilat të siguruarit  apo policëmbajtësit kanë arkëtuar 31.5 milionë euro ose 20 për qind më shumë se vitin e kaluar. Rritja më e madhe e numrit të dëmeve të paguara është në sigurimet shëndetësore private me 68 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Policëmbajtësit  kanë arkëtuar  35,163 dëme nga kompanitë e sigurimit në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Kko paraqet një rritje prej 15 për qind të dëmeve të paguara për sigurimet jo-jetë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 11 kompani të sigurimit për sigurime jo-jetë, policëmbajtësve ose personave të siguruar u kanë paguar një vlerë totoale të dëmeve prej 1,94 miliardë denarë (31,5 milionë euro). Kjo është 20 për qind më shumë se në gjashtë muajt e parë të vitit 2020, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS).

Rritjen më të madhe të numrit të dëmeve të paguara në këtë periudhë e ka regjistruar sigurimi shëndetësor privat – klasa me rritjen më të madhe në periudhën e pandemisë shëndetësore të shkaktuar nga COVID 19. Në periudhën janar – qershor të këtij viti janë paguar 9144 dëme, të mbuluara nga kontratat e sigurimit dhe kjo është për 68 për qind më shumë dëme të paguara krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Personat e siguruar për gjashtë muajt e parë nga mbulimi shëndetësor privat kanë arkëtuar 92,6 milionë denarë (1,5 milionë euro).

Në sigurimin e pasurisë, klasa më e madhe e sigurimeve vullnetare sipas vlerës së investimeve në polica, janë paguar 4022 dëme në gjashtë muaj. Kjo është 3 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Nga këto dëme të siguruarit kanë inkasuar apo arkëtuar 292,1 milionë denarë (4,75 milionë euro).

Në klasën më masive të sigurimit vullnetar – sigurimet nga aksidentet për gjashtë muajt e parë janë paguar 3573 dëme, në të njëjtin nivel me vitin e kaluar. Vlera që kompanitë e sigurimit ua kanë paguar të siguruarve është 249,4 milionë denarë (4,05 milionë euro).

Në bazë të sigurimit kasko të automjeteve janë realizuar 3661 dëme ose 3 për qind më pak se vitin e kaluar. Për këto dëme kompanitë u kanë paguar të siguruarve 224,1 milionë denarë (3,6 milionë euro).

Siç pritej, numri më i madh i dëmeve të paguara është në sigurimin e detyrueshëm ligjor të autopërgjegjësisë ndaj palëve të treta. Janë paguar 13603 dëme, që është 19 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020. Vlera e dëmeve të paguara në këtë klasë të sigurimit për këtë periudhë është 875,9 milionë denarë (14,24 milionë euro).

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ rregullator i pavarur, i cili normativizon tregun e sigurimeve, kryen mbikëqyrje të aktivitetit të shoqërive të sigurimeve  dhe kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të personave të siguruar ose policëmbajtësve dhe kontribuon në edukimin financiar dhe përfshirjen financiare të popullatës.