Investimet në sigurimin e pronës po rriten me të njëjtën normë si sigurimi i detyrueshëm i autopërgjegjësisë, një prirje apo trend shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tregut të sigurimeve. Në këtë periudhë, veçanërisht ka pasur rritje të vazhdueshme të investimeve të të siguruarve apo policëmbajtësve në sigurimin shëndetësor privat,  që ka arritur në 3.8 milionë euro, me rritje prej 38 për qind në krahasim me gjysmëvjetorin e parë të vitit 2020.

Investimet e policëmbajtësve në policat e sigurimeve jo të jetës (primi i shkruar bruto PSHB) arritën në 5 miliardë denarë (81.2 milionë euro) në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS), ky është një rezultat për 15.6 për qind më i mirë në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2020.

Rritja e investimeve në policat e sigurimeve jo-jetë është një rritje e pritur, duke pasur parasysh faktin se viti i kaluar ishte jashtëzakonisht i vështirë për shkak të kufizimeve të shumta të vendosura nga pandemia shëndetësore e shkaktuar nga kriza e koronës. Për një gjysmë viti, u lidhën 634,567 kontrata të sigurimit jo-jetë, 16 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Është e rëndësishme të theksohet se në gjysmën e parë të këtij viti, investimet në sigurimet jo-jetë janë më të larta për 600 milionë denarë (9.76 milionë euro) ose 13.6 për qind në krahasim me vitin 2019.

Rritja më e madhe e investimeve në sigurime është në sigurimin shëndetësor privat dhe sigurimin e pronës. Siç pritej, me rënien e kufizimeve të udhëtimit, ka një rritje të konsiderueshme në shitjen e kartonave jeshilë dhe në sigurimin e shëndetit gjatë udhëtimit.

Sigurimi i pronës për gjashtë muaj arriti një vlerë prej 1.4 miliardë denarë (22.7 milionë euro), që është 210.3 milionë denarë (3.4 milionë euro) më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Investimet e kompanive, institucioneve dhe personave të tjerë juridikë në sigurimin e pronës tejkaluan një miliard denarë (17.3 milionë euro), që është 29 për qind më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2020.

Sigurimi shëndetësor privat, pas zgjerimit të krizës së koronës, është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Në gjashtë muajt e parë, investimet në këtë sigurim tejkaluan 232 milionë denarë (3.8 milionë euro), që është një milionë euro ose 38 për qind më shumë se vitin e kaluar.

PBSH-ja në klasën më të zakonshme të sigurimit të autopërgjegjësisë (e detyrueshme me ligj dhe çmim të rregulluar) për shoqëritë e sigurimeve për gjysmë viti solli të ardhura prej 1.74 miliardë denarë (28.3 milionë euro). Investimet në këtë sigurim janë rritur me 14 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020.

Shitjet e kartonit jeshil arritën në 409.4 milionë denarë (6.6 milionë euro), që është një rritje prej 34 për qind dhe sigurimi i shëndetit në udhëtim 47.7 milionë denarë (775.000 euro) ose 18 për qind më shumë se vitin e kaluar.

“Triglav Osiguruvanje” ka pjesëmarrjen më të madhe të tregut në gjysmën e parë të vitit, para “Eurolink Osiguruvanje”, “Halk Osiguruvanje”, ADOR “Makedonia” dhe “Unika”. Vijojnë “Sava Osiguruvanje”, “Euroins Osiguruvanje”, “Viener – VIG”, ” Kroacia Osiguruvanje –Jo-Jetë”, “Polisa Osiguruvanje ” dhe “Grave Jo-Jetë”.

Rritje të pjesëmarrjes në treg shënojnë të gjitha 11 shoqëritë e sigurimeve jo-jetë. Rritja më e madhe në këtë periudhë është regjistruar nga: “Halk Osiguruvanje”, “Unika”, “Kroacia Jo-Jetë” dhe “Grave Jo-Jetë”. Vijojnë: “Sava Osiguruvanje”, “Viener – VIG”, “Osiguritelna Polisa”, “Triglav Osiguruvanje”, ADOR “Makedonia” dhe “Euroins Osiguruvanje.

Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) është organ rregullator i pavarur, i cili rregullon tregun e sigurimeve, kryen mbikëqyrje të aktivitetit të shoqërive të sigurimeve  dhe kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të personave të siguruar ose policëmbajtësve dhe kontribuon në edukimin financiar të popullatës.