Kompanitë e sigurimeve kanë paguar 30 për qind më shumë para për dëmet e
siguruara vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë. Numri më i madh i dëmeve
është paguar për mbulimin e shpenzimeve mjekësore të mbuluara nga sigurimi
shëndetësor shtesë, por  nga të gjitha klasat e sigurimit vullnetar, më së shumti
mjete janë paguar për dëmet e mbuluara nga sigurimi i pasurisë.

Kompanitë e sigurimit kanë paguar 103,130 dëme të mbuluara nga sigurimet jo-jetë në
vitin 2022. Numri i dëmeve të paguara është 30 për qind më i lartë krahasuar me vitin e
kaluar 2021.

Të siguruarit nga kompanitë e sigurimeve vitin e kaluar kanë arkëtuar 4,4 miliardë
denarë (71,7 milionë euro). Kjo është gati 5.5 milionë euro, pra 8.3 për qind më shumë
fonde të paguara në krahasim me vitin 2021, sipas të dhënave zyrtare të dorëzuara në
Agjencinë e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (ASO) nga të 11 shoqëritë e sigurimeve jo-jetë.

Numri më i madh i dëmeve të paguara është në sigurimin shëndetësor suplementar, të
njohur gjerësisht si sigurimi privat. Dhjetë kompanitë e  sigurimeve që shesin këtë
sigurim kanë paguar mbi 46,000 dëme për të siguruarit e tyre vitin e kaluar, që është
pothuajse gjysma e të gjitha dëmeve të paguara. Policëmbajtësit që kanë sigurim
shëndetësor privat gjatë vitit të kaluar kanë arkëtuar 426 milionë denarë (6,9 milionë
euro) nga siguruesit e tyre për shpenzime mjekësore. Vitin e kaluar, shuma e
shpenzimeve mjekësore të mbuluara nga sigurimet shëndetësore private është më
shumë se e dyfishuar (3.5 milionë euro) krahasuar me vitin e kaluar, 2021.

Siç pritej, shuma më e madhe e dëmeve u pagua me sigurimin më masiv dhe të
detyrueshëm me ligj të sigurimit të auto-përgjegjësisë (AP). Janë paguar mbi 27.000
dëme nga aksidentet rrugore dhe aksidentet që kanë ndodhur brenda vendit në vlerë
prej 1,75 miliardë denarësh (28 milionë euro). Për sigurimin e mbuluar me kartonin
jeshil, janë paguar 1205 dëme në vlerë prej 418 milionë denarësh (6,8 milionë eurosh).

Vlera më e lartë e dëmeve të paguara nga të gjitha sigurimet vullnetare, siç pritej, është
në sigurimin e pasurisë. Vitin e kaluar janë paguar gjithsej 766 milionë denarë (12,45
milionë euro), ose 8 për qind më shumë se vitin paraprak.

Personat fizikë vitin e kaluar kanë inkasuar dëme të siguruara në vlerë prej 262 milionë
denarë (4,3 milionë euro), ndërsa kompanitë, institucionet dhe personat e tjerë juridikë
kanë arkëtuar 504 milionë denarë (8,2 milionë euro). Tek personat fizikë, shuma e
dëmit të paguar është ulur me 17 për qind, ndërsa te personat juridikë është rritur me
29 për qind.

Klasat e tjera të sigurimeve sipas shumës së dëmeve të paguara që veçohen janë:
sigurimi gjithëpërfshirës i automjeteve me 545 milionë denarë (8,8 milionë euro),
sigurimi nga aksidentet me 347,2 milionë denarë (5,6 milionë euro) dhe sigurimi i
shëndetit gjatë udhëtimit, për të cilin policëmbajtësit kanë arkëtuar 62,1 milionë denarë
(1 milion euro).

Në totalin e dëmeve të paguara vitin e kaluar,”Triglav Osiguruvanje” ka marrë pjesë me
14.5 për qind, “Kroacia Osiguruvanje – Jo-Jetë” me 11 për qind, “Halk Osiguruvanje” me
10.8 për qind, “Sava Osiguruvanje” me 10.5 për qind,”Unika”  me 9,3 për qind,
“Makedonia Osiguruvanje VIG” dhe “Euroins Osiguruvanje” me 9,2 për qind. Pas tyre
vijnë Eurolink me 8.5 për qind, “Viener VIG” me 8.3 për qind, “Osiguritelna Polisa” me 6
për qind dhe “Grave” me 2.7 për qind.

Për sa i përket aktivitetit të shoqërive të sigurimeve jo-jetës, bazuar në raportet e tyre të
pa audituara, përfitueshmëria është përmirësuar ndjeshëm në vitin 2022 krahasuar me
vitin 2021. Dhjetë nga gjithsej 11 Shoqëri e mbyllën vitin me fitim (para taksimit). Rreth
tetë kompani që kanë punuar me fitim vitin e kaluar kanë një rezultat financiar më të
mirë krahasuar me vitin 2021.