Sektori financiar i brendshëm u përball mirë me sfidat globale ndërsa edhe një herë tregoi se është rezistent ndaj goditjeve dhe ka kapacitet për të përballuar krizat, ky është përfundimi i Raportit të Stabilitetit Financiar për vitin 2022. Në mbledhjen e Komitetit për Stabilitet Financiar të mbajtur më 27 nëntor, u prezentua Raporti për stabilitetin financiar në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2022, ndërsa u rishikuan edhe aktivitetet që duhet të ndërmerren për zbatimin e Ligjit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme të Bankave.

Në mbledhjen e Komitetit, duke i rishikuar treguesit për segmente të ndryshme të sektorit financiar në vitin 2022, u theksua se stabiliteti financiar është ruajtur me sukses, pavarësisht kushteve komplekse të funksionimit të sistemit financiar. Totali i aktiveve të sistemit financiar është rritur edhe në vitin 2022, por në mënyrë të moderuar. Rritja totale e kredisë ishte 9.4%, e cila i dha mbështetje solide kreditimit për sektorin korporativ, që shënoi një rritje prej 11.5% dhe për popullatën që u rrit me 7.3%. Këto ritme të rritjes së kredisë janë dukshëm më të larta se ato të BE-së ku ishin përkatësisht 4.8%, 6.4% dhe 3.8%. U konstatua se mundësia e përhapjes së rreziqeve ndërmjet segmenteve të veçanta të sistemit është ende e kufizuar në kushtet e ruajtjes së strukturës së thjeshtë të sistemit financiar, ndërvarësisë së ulët dhe mungesës së instrumenteve financiare më komplekse. Rezultatet e stres testimit dhe vlerësimet e simulimet e veçanta për ekspozimin ndaj rrezikut të ndryshimeve të normave të interesit të përfshira në raport tregojnë se sistemi financiar i brendshëm ka kapacitetin për të përballuar goditje me intensitet më të madh.

Performanca e sektorit korporativ në vitin 2022 ishte solide, ku pothuajse të gjitha aktivitetet e sektorit korporativ paten rritje të të ardhurave operative duke përmirësuar rentabilitetin. Rentabiliteti i sektorit korporativ u rrit me 19.8%, pas rritjes prej 32.1% në vitin 2021. Treguesit e konkurrencës tregojnë edhe për përmirësimin e produktivitetit të sektorit korporativ, i cili po rritet me ritme të përshpejtuara për të dytin vit radhazi. Megjithatë, rreziku i likuiditetit mbetet burimi kryesor i cenueshmërisë për sektorin korporativ vendas, pavarësisht përmirësimit të efikasitetit operativ të arritur në vitin 2022. Treguesit financiarë tregojnë edhe përmirësim të disiplinës financiare, në drejtim të përshpejtimit të shlyerjes së detyrimeve dhe arkëtimit më të shpejtë të të arkëtueshmeve të kompanive. Nevojat për likuiditet të kompanive u mbuluan në masë të konsiderueshme nga rritja e mbështetjes kreditore të bankave, pasi krahas kredive afatgjata, që zakonisht kanë kontributin më të madh, në vitin 2022 u përforcua edhe kreditimi afatshkurtër.

Megjithatë, u theksua se mjedisi i pasigurt makroekonomik mund të jetë burim i dobësisë për sektorin financiar. Për rrjedhojë, është akoma më e rëndësishme të forcohet vazhdimisht rezistenca e sektorit bankar dhe atij financiar në tërësi, dhe ky është qëllimi themelor i mandatit makroprudencial të rregullatorëve financiarë të parashikuar me Ligjin e ri për Stabilitetin Financiar dhe masat makroprudenciale që mund të ndërmerren.

Në mbledhje u rishikua edhe Informacioni për aktivitetet e nevojshme në lidhje me Ligjin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Komiteti i përcakton aktivitetet përgatitore që duhet të zbatohen nga ana e institucioneve, në mënyrë që të mund të fillojë zbatimin e Ligjit brenda afatit të përcaktuar, respektivisht nga tetori i vitit 2025.