Sfidat e AMS-së dhe situata në tregun e sigurimeve në RMV, ishte tema e takimit që Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve realizoi me përfaqësuesit e industrisë së sigurimeve më 3 nëntor të vitit 2020.

Në takimin, i cili u organizua online për shkak të krizës shëndetësore dhe situatës me Kovid-19, morën pjesë anëtarët e Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, drejtorët e përgjithshëm të shoqërive të sigurimeve, shoqërive të brokerimit në sigurime, shoqërive të përfaqësimit në sigurime dhe punonjësit në Agjenci.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve, z. Kërste Shajnoski mbajti një fjalim hyrës dhe përmes një prezantimi iu referua zhvillimeve në sektorin e sigurimeve dhe treguesve të fundit në periudhën e tremujorit të tretë të vitit  2020. Gjithashtu, u prezantuan dhe u diskutuan hapur edhe sfidat me të cilat përballet Agjencia, si dhe planet e ardhshme dhe pritjet në këtë fushë.

Shajnoski theksoi se gjendja financiare e shoqërive të sigurimeve është përmirësuar. Ai shtoi se politikat konservatore dhe rregullativa për vlerësimin e provigjoneve teknike dhe investimet e mjeteve që mbulojnë provigjonet teknike, si dhe cilësia e lartë e instrumenteve të përfshira në llogaritjen e kapitalit të shoqërive të sigurimeve janë një bazë e mirë dhe garanci për ruajtjen e aftësisë paguese në veprimtarinë e kompanisë.

Gjithashtu u theksua se Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve monitoron nga afër tregun e sigurimeve dhe se ruajtja e stabilitetit të tij është e një rëndësie të veçantë për mbrojtjen e siguruesve dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar dhe ekonomisë në tërësi.

Në fund të takimit u theksua se Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve në periudhën e ardhshme do të intensifikojë aktivitetet e saj në segmente të ndryshme të veprimtarisë së subjekteve, ndërsa do të përqendrohet në forcimin e menaxhimit korporativ në shoqëritë e sigurimeve, duke siguruar transparencë më të madhe në punën e shoqërive dhe forcimin e besimit të opinionit në tregun e sigurimeve.