Edukimi financiar është interes publik, sepse vendimet individuale dhe personale financiare ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik – konkluduan drejtuesit e organeve financiare rregullatore, të cilët janë pjesë e Trupit Koordinues për Edukim Financiar ku bëjnë pjesë Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni I Letrave me Vlerë (KLV), Agjencia për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit Pensional (MAPAS) dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS). Në evenimentin në të cilin u paralajmëruan Ditët e Edukimit Financiar, që do të zgjasin deri më 26 nëntor dhe për herë të parë mbahen në mënyrë virtuale, fjalime të tyre kishin Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska – Bezhoska, Ministri i Financave, Fatmir Besimi, Kryetarja e KLV-së, Nora Aliti, Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, Maksud Ali dhe Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Kërste Shajnoski.

Guvernatorja e Bankës Popullore, Angellovska-Bezhoska, ndër të tjerat theksoi se në thelb, sondazhi më i ri i OECD-së për Evropën Juglindore, në mënyrë të qartë tregon lëvizjet pozitive nga aspekti i edukimit financiar në tërë rajonin, mirëpo njëkohësisht e thekson edhe nevojën për angazhime të vazhdueshme të mëtejshme të rregullatorëve në këtë sferë. Niveli i arsimimit financiar i popullatës së moshuar tek ne është 56%, maksimumi, që është i përafërt me mesataren në Evropën Juglindore prej 57%, mirëpo është më i ulët nga rezultatet e arritura të vendeve të BE-së dhe të OECD-së, me 64% dhe 65%, që përkatësisht udhëzon në nevojshmërinë për aktivitete edhe të mëtejshme.

“Aktivitetet që do të ndërmerren gjatë Ditëve të Edukimit Financiar janë vetëm një pjesë nga një sërë aktivitetesh të cilat do të pasojnë në periudhën e ardhshme. Këtu, para së gjithash do t’i theksoja aktivitetet për përgatitjen e Strategjisë së Parë Kombëtare për Edukim Financiar dhe Inkluzionin Financiar, e cila së shpejti duhet të përfundojë. Të gjitha ato që i kemi paraparë në këtë Strategji bazohen mbi praktikat më të mira ndërkombëtare në sferën e edukimit financiar sepse: “Edukata është pasaporta për të ardhmen, sepse e ardhmja u takon atyre të cilët sot përgatiten për atë” – theksoi guvernatorja.

Ministri i Financave theksoi se teknologjia ofron mundësi të reja dhe se qytetarët duhet të informohen, t’i ndjekin tendencat për të mirën personale, por edhe të përgjithshme. Ai paralajmëroi se muajin e ardhshëm do të ketë debat publik për Ligjin për Sistemet Pagesore me të cilin parashihen zgjidhje të reja dhe fintek mundësi dhe shërbime të cilat ofrohen në nivel global edhe për qytetarët tonë.

“Edukimi financiar nuk është vetëm një përfitim personal, por është edhe interes publik. Kur pjesa më e madhe e njerëzve kanë dijeni që më mirë t’i vlerësojnë çështjet  ekonomike dhe të sjellin vendime më të drejta financiare, nga kjo do të kenë dobi të gjithë, sepse atëherë kemi probabilitet më të vogël për kriza financiare, kemi probabilitet më të lartë për investime të qëndrueshme për një rritje të qëndrueshme. Prandaj edukimi financiar është me rëndësi, jo vetëm për përfitimin personal, por edhe për shkak të interesit të përgjithshëm” – tha Besimi.

Nora Aliti, kryetarja e KLV-së theksoi se edukimi financiar bëhet gjithnjë e më jetik, jo vetëm për nevojat financiare të përditshmërisë por edhe sepse ndikon në rritjen ekonomike, në stabilitetin financiar, në rritjen e mirëqenies individuale dhe në përfshirjen sa më të gjerë financiare të qytetarëve.

„Investimi në edukimin financiar është investim në të ardhmen. Këtë vit, Komisioni i Letrave me Vlerë me qëllim të shënimit të ditëve të edukimit financiar do të publikojë një broshurë të re edukative me titull “Investo me maturi, menaxho me mençuri” në gjuhën maqedonase, shqipe dhe në gjuhën angleze, së bashku me disa video të animuara, të cilat i trajtojnë nocionin për letrat me vlerë, tregtimin me instrumente financiare dhe mbrojtjen gjatë investimit në tregun e kapitalit.” – theksoi Aliti.

Kryetar i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit Pensional – MAPAS, Maksud Ali, theksoi se kriza shëndetësore edhe në financimin kapital të sigurimit pensional shkaktoi adaptim të resurseve të zhvillimit të ndërlidhjes digjitale midis institucioneve dhe zhvillim të veglave si aplikacione për anëtarësimin në fondet pensionale dhe ndjekje të llogarive individuale të vetë anëtarëve. Duke respektuar qëndrimin se procesi i edukimit dhe informimit të anëtarëve për sistemin financiar dhe pensional është një proces i vazhdueshëm, ashtu si edhe vitet e kaluara, Agjencia gjatë tërë vitit 2020 zbaton aktivitete, disa me Trupin Koordinues për Edukim Financiar dhe Inkluzion Financiar, disa me shoqëritë pensionale, ndërsa disa edhe individualisht.

Ali, poashtu theksoi se Agjencia si rregullator dhe mbikëqyrës në mënyrë të devotshme do të vazhdojë që edhe në të ardhmen vazhdimisht të punojë në promovimin e sistemit pensional dhe arsimimin dhe inkluzionin financiar për zhvillimin e vetëdijes së publikut. Poashtu, do të vazhdojë të bashkëpunojë me institucionet e kyçura në sigurimin pensional dhe institucionet relevante nga sfera financiare në drejtim të realizimit të misionit të vet për të mbrojtur interesat e anëtarëve të fondeve pensionale dhe të nxitë zhvillimin e financimit kapital të sigurimit pensional me qëllim të ditëve më të sigurta pensionale.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Kërste Shajnoski theksoi se në kontekst të edukimit financiar, Agjencia do të krijojë një marrëdhënie më të hapur dhe më transparente ndaj qytetarëve.

“Rritja e transparencës është përgjigja më e mirë ndaj sfidave me të cilat ballafaqohemi. Nuk ka edukim më të madh nga fakti që të rritet mirëbesimi i personave të siguruar në sektorin e sigurimeve. Nuk ka edukim më të madh nga rritja e përzgjedhjes së policave të sigurimit të cilat do tu jenë në dispozicion përdoruesve dhe promovimit të tyre. Funksioni themelor i policave është mbrojtja e sigurisë së jetës dhe pronës, mirëpo sigurimi ka funksion edhe të mobilizimit të aseteve të lira financiare, kapitalizimin  dhe shumimin e tyre.  Ne duhet të punojmë për zhvillimin e shtyllave të pazhvilluara të sistemit financiar. Rritja e cilësisë së edukimit financiar dhe nivelit të arsimimit financiar janë një nga parakushtet për të arritur qëllimin,” – tha Shajnoski.

Gjatë Ditëve të Edukimit Financiar, rregullatorët financiarë organizojnë aktivitete të shumta, për të cilat opinionin e njoftojnë edhe përmes faqeve të tyre të internetit dhe përmes faqeve zyrtare në rrjetet sociale.

Video nga evenimenti: