Sistemi financiar është në gjendje të mirë dhe është gati të përballojë sfidat e ardhshme. Ndërlidhja ndërsektoriale e segmenteve institucionale të sistemit dhe mundësia që rreziqet të përhapen nga një segment në tjetrin janë të ulëta. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekonominë maqedonase që të gjithë treguesit që janë në dispozicion të tregojnë se secili nga segmentet institucionale të sektorit financiar vendas po përballet mirë me rreziqet e pandemisë. Gjithashtu është thelbësore që sistemi bankar t’i përgjigjet në mënyrë adekuate sfidave të krizës dhe të konfirmojë qëndrueshmërinë e tij ndaj goditjeve, duke qenë se stabiliteti i tij kushtëzohet nga stabiliteti i sistemit të përgjithshëm financiar.

Këto janë disa nga përfundimet nga seanca e sotme e Komitetit të Stabilitetit Financiar, në të cilin u prezantua Raporti i Stabilitetit Financiar 2020, i miratuar së fundmi nga Këshilli i Bankës Popullore. Seanca u drejtua nga Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, ndërsa kanë marrë pjesë Ministri i Financave, Fatmir Besimi, Kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), Nora Aliti, Kryetari i Këshillit  të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Finansimit Kapital të Sigurimit Pensional  (MAPAS), Maksud Ali dhe Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve (AMS), Kërste Shajnoski.

Duke iu referuar treguesve për sistemin bankar, Guvernatorja Angelovska-Bezhoska vuri në dukje se për shkak të një vlerësimi më të hollësishëm të rreziqeve dhe gatishmërisë së sektorit bankar për t’u përballur me goditjet në kushtet e veçanta pandemike, Banka Popullore  e zgjeroi kuadrin për stres-test të sistemit.

“Përveç testit të rregullt makro-stres, për herë të parë ne kemi kryer një stres-test individual gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për secilën bankë. Rezultatet e stres-testit, sipas të dyja akseseve, treguan se shtresat mbrojtëse të kapitalit, të ndërtuara nga sistemi bankar në periudhën e mëparshme, ofrojnë mbrojtje adekuate të rrezikut dhe lejojnë rritje të mëtejshme të mbështetjes së kredisë, si për individët ashtu edhe për sektorin korporativ”, theksoi guvernatorja.

Ajo vuri në dukje se është me rëndësi të madhe që pavarësisht sfidave të pandemisë dhe pas përfundimit të shtyrjes apo vonesës së arkëtimit  të kredive, niveli i kredive me probleme është ende i ulët.

Në seancë u theksua se Ministria e Financave monitoron vazhdimisht situatën në segmentin e sistemit financiar për të cilin është përgjegjëse, domethënë kompanitë financiare dhe kompanitë e lizingut. Gjegjësisht, vitin e kaluar ky sektor u prek nga pandemia Kovid-19, por që nga fillimi i vitit ai tregon rimëkëmbje dhe rezultate pozitive, si duke rritur numrin e kompanive që operojnë në treg ashtu edhe në plasmanet apo shitjet financiare.

“Forcimi i pozicionit të tregut nga kompanitë financiare në periudhën e kaluar është një shtysë shtesë për të menduar më seriozisht për kërkesat dhe standardet rregullatore që duhet të përmbushen nga kompanitë financiare. Për këtë arsye, Ministria e Financave po shqyrton mundësinë e forcimit të kuadrit rregullator për funksionimin e kompanive financiare në treg në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të theksohet serioziteti dhe aksesi i tyre për të punuar nga njëra anë dhe për të rritur besimin e opinionit dhe  të kompanive në këto institucione financiare”, theksoi Ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ai shtoi se kjo është e nevojshme sepse kompanitë financiare duhet të shihen si institucione financiare serioze që ofrojnë një alternativë ndaj bankave dhe jo vetëm si kompani që ofrojnë kredi afatshkurtra për familjet.

KLV-ja vazhdon të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme, si në të kaluarën, tendencat dhe rreziqet e mundshme, për shkak të përgjigjes së duhur e që synon kryesisht pjesëmarrësit e tregut, infrastrukturën e tregut, mjedisin e tregut, përfshirë transparencën, menaxhimin e mirë korporativ dhe interesin për investime.

“Misioni i tregut të kapitalit në periudhën pas shpërthimit të pandemisë Kovid-19 ka për qëllim njohjen e ideve dhe projekteve pozitive që forcojnë aktivitetin e bursës dhe të fondeve, duke motivuar kështu shoqëritë aksionare dhe të gjitha subjektet e tjera që kanë një potencial të fortë për përparim për të investuar në inovacion dhe zhvillim përmes tregut, sepse vetëm trendet pozitive mund të kontribuojnë në parametra edhe më të mirë ekonomikë”, theksoi kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë, Nora Aliti.

Tregu i kapitalit  po përjeton stabilitet, në të gjitha aspektet e tij, i cili është konstant dhe i dukshëm, i cili, nga ana tjetër, është rezultat i aktiviteteve të KLV-së. Duke u nisur nga sublimati i realizimit të tregut të letrave me vlerë, në vitin që ishte jashtëzakonisht i pasigurt për të gjithë, u shënua progres në segmente të caktuara, që është përmendur edhe në Raportin e Stabilitetit Financiar të vitit 2020.

Siç u theksua në seancë, edhe në kushtet e krizës me sfida të reja, Komisioni arrin të veprojë intensivisht, si një rregullator proaktiv dhe të ndërtojë një treg kapital më rezistent ose më të qëndrueshëm.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS, Maksud Ali, vuri në dukje se kriza globale shëndetësore dhe ekonomike i zhvendosi për një periudhë afatshkurtër tendencat rritëse në parametrat e sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar të kapitalit pensional, kështu që ka ndryshime në rënie në fund të tremujorit të parë të vitit 2020, por megjithatë fondet e pensionit në një kohë relativisht të shkurtër e kthyen dhe e tejkaluan vlerën e reduktuar të aktiveve.

“Sidoqoftë, duke pasur parasysh që fondet e pensioneve janë investitorë afatgjatë, është e rëndësishme që ato të vlerësohen në afat më të gjatë. Në periudhën shtatëvjeçare 2014-2020, rendimenti mesatar i realizuar në baza vjetore është brenda nivelit të planifikuar strategjikisht”, tha Ali.

“Politikat konservative të shoqërive të sigurimeve dhe rregullativa për ushtrimin e veprimtarisë së sigurimeve e cila i referohet vlerësimit të provigjoneve teknike dhe investimeve të fondeve apo mjeteve që mbulojnë provigjonet teknike, si dhe cilësisë së lartë të instrumenteve të përfshira në llogaritjen e kapitalit të shoqërive të sigurimeve janë bazë dhe garanci e mirë për ruajtjen e aftësisë paguese në aktivitetin  e shoqërive të sigurimeve. Në gjysmën e parë të vitit 2021, pati një rritje të sigurimit në të dy grupet, jo-jetë dhe jetë. Numri i shoqërive të sigurimeve nuk ka ndryshuar, por ka një rritje të konkurrencës në ofertën e shërbimeve të sigurimit në të dy segmentet, gjë që çon në një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve, respektivisht një rritje të pagesave të dëmeve dhe shpenzimeve operative të aktivitetit, që kontribuon në zvogëlimin koncentrimit të tregut, por edhe për përkeqësimin e rezultateve financiare në gjysmën e parë të vitit”, citoi ndër të tjera, Kryetari i Këshillit të Ekspertëve, Kërste Shajnoski.

Në seancë u theksua se është jashtëzakonisht e rëndësishme që përkundër efekteve të theksuara të pandemisë, rreziqet që lidhen me sektorin “amviseri” janë brenda kornizave dhe borxhi apo debia  e amviserive mbetet e moderuar. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që amviseria  e ruajti aftësinë për të shlyer borxhin rregullisht, gjë që kontribuoi në ruajtjen e cilësisë së portofolit kreditor të huave të bankave. Borxhi i sektorit korporativ është rritur mesatarisht në vitin 2021, por ai edhe më tej mbetet i moderuar. Në fakt, edhe gjatë pandemisë, sektori korporativ e rriti kapitalin e tij, i cili kontribuoi në rritjen e financimit të borxhit, pa rritur nivelin e borxhit/debisë të shprehur si raporti midis borxhit dhe kapitalit (leverixhi financiar). Duke pasur parasysh që pandemia është burimi kryesor i rreziqeve për sektorin e korporatave në periudhën e ardhshme, në seancë u theksua se rreziqet janë më të theksuara për subjektet me nivele më të larta të borxhit dhe atyre që nuk do të jenë në gjendje të rregullojnë kushtet e funksionimit të imponuara nga pandemia.

Duke parë të dhënat për të gjitha segmentet institucionale të sistemit financiar, u arrit në përfundimin se ai është gati t’i përgjigjet sfidave të ardhshme. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh faktin se ka ende pasiguri në lidhje me rrjedhën e pandemisë dhe efektet e mundshme të mëtejshme në ekonomi, pritet që të gjitha institucionet financiare të vazhdojnë të veprojnë me kujdes dhe të mbajnë nivele adekuate të kapitalizimit dhe likuiditetit.

Nënkomitetet në kuadër të Komitetit të Stabilitetit Financiar monitorojnë rregullisht situatën, në mënyrë që koordinimi i rregullatorëve financiarë të jetë konstant.