Nën moton “Solidariteti shpëton jetën”, dhuruesit e gjakut nga AMS-ja dhe dhjetë shoqëri  të sigurimeve organizuan aksion të cilin stafi mjekësor dhe përfaqësues të Kryqit të Kuq e vlerësuan si shumë të suksesshëm dhe një nga më masivët në territorin e qytetit të Shkupit

Mbi 60 njësi gjaku janë dhuruar nga punonjës të AMS-së dhe të shoqërive të sigurimeve në aksionin e dhurimit të gjakut të organizuar për herë të parë nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS) me rastin e Ditës së Sigurimeve – 1 Nëntorit.

Stafi mjekësor i Institutit të Transfuziologjisë dhe përfaqësuesit e Kryqit të Kuq që e realizuan këtë aksion e vlerësuan si jashtëzakonisht të suksesshëm dhe po ashtu theksuan se është ndër më masivët në territorin e qytetit të Shkupit.

Nisma e punonjësve të AMS-së për dhurimin e gjakut u mbështet edhe nga dhuruesit e gjakut nga shoqëritë e sigurimeve dhe në të morën pjesë të punësuar në “Makedonija Osiguruvanje VIG”, “Eurolink”, “Kroacia Osiguruvanje – Jo-Jetë”, “Sava Osiguruvanje”, “Euroins Osiguruvanje”, “Kroacia Osiguruvanje -Jetë “, “Viner Lajf”, “Prva Zhivot “, “Grave” dhe “Triglav Osiguruvanje -Jetë”.

Në aksionin që u mbajt dje në ambientet e AMS-së, në mesin e dhuruesve të gjakut ishin edhe kryetari  i Këshillit të Ekspertëve Kërste Shajnoski dhe anëtar i Këshillit të Ekspertëve në AMS, Zllate Simonovski. Shajnoski falënderoi të gjithë dhuruesit e gjakut për reagimin masiv dhe theksoi se motivi i këtij aksioni të AMS-së ishte parimi i solidaritetit, i cili është postulat dhe udhërrëfyes i veprimtarisë së sigurimit. Dhe pikërisht rëndësinë e kësaj e dëshmuan përmes dhurimit masiv të gjakut me rastin e Ditës së Sigurimeve – 1 Nëntorit.

Në kuadër të aktiviteteve të saj me rastin e Ditës së Sigurimeve, krahas fushatës së dhurimit të gjakut, këtë vit AMS-ja organizoi takime edukative me nxënës  dhe qytetarë, si dhe tradicionalisht ndau çmimin për punimin më të mirë kërkimor shkencor në fushën e rreziqeve dhe të sigurimeve.