Së bashku me rritjen e vlerës së dëmeve të paguara, rritet edhe shuma që fermerët dhe blegtorët kanë investuar në policat e sigurimeve. Vitin e kaluar, shitjet e policave bujqësore tejkaluan 7.8 milionë euro. Investimet e ndërmarrjeve agrare në sigurimet bujqësore u rritën me 65 për qind vitin e kaluar.
Fermerët dhe blegtorët vitin e kaluar arkëtuan 313.6 milionë denarë (5.1 milionë euro) dëme nga shoqëritë e sigurimeve, bazuar në mbulimin e policave të tyre të sigurimeve. Vlera e pagesave të dëmeve vitin e kaluar u rrit me 56 për qind krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve (AMS).
Rritja më e madhe e dëmeve të arkëtuara është në ndërmarrjet bujqësore që në bazë të asaj që është siguruar nga policat e sigirimeve kanë mbledhur 141.4 milionë denarë (2.3 milion euro), që është 1.4 milionë euro më shumë pagesa për dëmet në krahasim me vitin 2019.
Vitin e kaluar, shoqëritë e sigurimeve kompensuan fermerët individualë me 2.8 milionë euro dëme, që janë për 18 për qind më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm.
Paralelisht me rritjen e dëmeve të paguara po rritet edhe shitja (primi i shkruar bruto) e policave të sigurimeve bujqësore. Kompanitë agrare, fermerët dhe blegtorët individualë investuan 24 për qind më shumë në sigurime vitin e kaluar.
Vlera totale e policave të sigurimeve bujqësore të shitura vitin e kaluar arriti një vlerë prej 480 milionë denarë (7.8 milionë euro). Rritja më e lartë e investimeve në sigurime është në ndërmarrjet bujqësore dhe blegtorale, të cilat vitin e kaluar ndanë 65 për qind më shumë, pra 215.2 milionë denarë (3.5 milionë euro).
Për katër vjet me radhë, ndërmarrjet bujqësore dhe fermerët individualë kanë rritur investimet e tyre në policat e sigurimeve të të mbjellave, të korrave dhe bagëtisë. Sipas të dhënave zyrtare të AMS-së, shitja e policave për të gjitha klasat e sigurimeve bujqësore nga viti 2017 deri në vitin e kaluar është rritur me 2,5 herë.
Sipas të dhënave të AMS-së, katër shoqëri që ofrojnë sigurime bujqësore kanë shitur gjithsej 3,751 polica vitin e kaluar. Prej tyre, 3.017 janë fermerë dhe blegtorë individualë dhe 734 janë kompani bujqësore dhe blegtorale.
Çfarë sigurojnë fermerët dhe blegtorët?
Policat e sigurimeve bujqësore mbulojnë rreziqet e zjarrit, breshërit, acarit, stuhisë dhe rreziqeve shtesë për të mbjellat dhe të korrat. Në policat e sigurimeve të bagëtisë mbulohen rreziqet e pasojave të sëmundjeve.
Agjencia e Mbikëqyrjes të Sigurimeve (AMS) është organ i pavarur rregullator që rregullon tregun e sigurimeve, mbikëqyr punën e shoqërive të sigurimeve, kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të të siguruarit apo policëmbajtësit dhe kontribuon në edukimin financiar të popullsisë.