Sfidat aktuariale në liberalizimin e ardhshëm të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve dhe kontributi i tyre në përfshirjen financiare janë temat kryesore të konferencës së madhe ndërkombëtare që mblodhi së bashku më shumë se njëqind aktuarë dhe ekspertë nga vendi, rajoni dhe bota.
Bëhet fjalë për konferencën dyditore “2022 CEE & SEE Regional Actuarial Insurance Conference, First Congress Actuaires du Monde” që mbahet sot dhe nesër në Shkup në organizim të organizatës ndërkombëtare jofitimprurëse “Aktuaret e Botës” në të cilën si bashkëorganizatorë marrin pjesë Agjencia e Mbikëqyrjes të Sigurimeve (AMS) dhe Shoqata Aktuariale Maqedonase “Aktuar”.
Në hapjen e Konferencës, përfaqësuesve të pranishëm nga industria maqedonase e sigurimeve, përfaqësuesve të lartë të rregullatorëve financiarë dhe ekspertëve nga rajoni dhe bota, iu drejtuan Ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të AMS-së, Kërste Shajnoski.
Besimi para pjesëmarrësve theksoi se do të jetë veçanërisht e rëndësishme përballja me rreziqet dhe përfitimet e liberalizimit të sigurimit të auto-përgjegjësisë për të zgjedhur rrugën më të mirë për arritjen e këtij qëllimi, që nënkupton edhe pajtueshmërinë e vendit tonë me rregulloret dhe praktikën e BE-së.
“Në këtë konferencë diskutohet për një temë realisht aktuale mbi të cilën do të shkëmbehen përvojat e përfaqësuesve të fushës profesionale dhe Ministria e Financave është gjithmonë e gatshme të dëgjojë ekspertët dhe përvojat e tyre dhe të shohë efektet që do të ketë liberalizimi për këtë klasë të sigurimeve, e cila përbën 41% të primit të shkruar bruto të përgjithshëm”, tha Ministri i Financave, Fatmir Besimi
Në fjalimin e tij Shajnoski foli për rëndësinë e profesionit aktuarial për industrinë e sigurimeve dhe aktivitetet që i ndërmerr AMS-ja për rritjen e kapaciteteve institucionale të kompanive të sigurimeve përmes trajnimeve aktuale për aktuarët. Duke iu referuar rëndësisë së procesit të ardhshëm për liberalizimin e sigurimit të auto-përgjegjësisë, Shajnoski theksoi:
“Ky liberalizim do të sjellë më shumë përgjegjësi për ASO-n në drejtim të monitorimit të vazhdueshëm të shëndetit financiar dhe kapaciteteve kapitale të kompanive të sigurimeve. Si rezultat përfundimtar i këtij procesi jashtëzakonisht të rëndësishëm, duhet që në koordinim me Ministrinë e Financave dhe Qeverinë, t’i jepet e drejta e zgjedhjes të siguruarve apo policëmbajtësve por njëkohësisht të kemi kompani sigurimesh të shëndosha financiarisht dhe klientë të kënaqur”.
Grupi i targetuar i vizitorëve të konferencës nuk janë vetëm aktuarët, por edhe një gamë më e gjerë pjesëmarrësish nga komuniteti i sigurimeve, përfaqësues të shoqërive të pensioneve dhe politikëbërës ekonomikë brenda dhe jashtë vendit. Sepse, puna e aktuarëve po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar dhe kompanitë e sigurimeve duhet të kenë një vend qendror në strukturën organizative.
“Aktuarët e Botës” është një organizatë jofitimprurëse e regjistruar në Francë në nëntor të vitit 2020 me një mision për të ofruar ndihmë të përkohshme dhe vullnetare për vendet në zhvillim që kanë nevojë për burime në fushën e menaxhimit aktuarial dhe rrezikut.
Shoqata Aktuariale Maqedonase “Aktuar” është një organizatë profesionale, qëllimi i së cilës është të promovojë disiplinat aktuariale, zbatimin e tyre praktik dhe zhvillimin profesional si dhe edukimin e aktuarëve.
Më shumë informacion rreth konferencës do të gjeni në linkun e mëposhtëm https://bit.ly/3DjiXWw