Kriza globale financiare dhe ekonomike (2007–2009) tregoi qartë se si çrregullimet në sistemin financiar mund të shkaktojnë pasoja serioze negative për sistemin financiar dhe për ekonominë në përgjithësi. Ajo tregoi gjithashtu se, për ruajtjen e një sektori financiar të shëndoshë dhe stabil, përveç ruajtjes së stabilitetit monetar dhe mbikëqyrjes së bankave individuale dhe institucioneve të tjera financiare, nevojitet një set i veçantë politikash që do të sigurojnë një qasje sistemike në monitorimin e rreziqeve në sektorin financiar. Ky set politikash njihet si politikë makroprudenciale, qëllimi i së cilës është të kontribuojë në parandalimin dhe uljen e rrezikut sistemik dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së institucioneve financiare ndaj shokeve, duke kontribuar kështu në ruajtjen e stabilitetit financiar.
Më 9 gusht 2022 hyri në fuqi Ligji për stabilitetin financiar, me të cilin u krijua korniza ligjore për zbatimin e politikës makroprudenciale të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve në lidhje me sektorin e sigurimeve. Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve kujdeset për arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar përmes zbatimit të politikës makroprudenciale dhe ndërmarrjes së masave makroprudenciale ndaj institucioneve të tregut të sigurimeve të cilave u ka lëshuar licencë.
Në përputhje me Ligjin për stabilitetin financiar, çdo rregullator kompetent i sistemit financiar është i detyruar të monitorojë dhe identifikojë rreziqet sistemike, të përcaktojë instrumente makroprudenciale dhe të ndërmarrë masa makroprudenciale për segmentin e sistemit financiar në kompetencën e tij. Bashkëpunimi dhe koordinimi i ndërsjellë i aktiviteteve të rregullatorëve kompetentë realizohet përmes Komitetit për stabilitetin financiar.
Gjatë zbatimit të politikës makroprudenciale, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve merr pjesë në punën e Komitetit për stabilitetin financiar dhe të nënkomiteteve përkatëse.
Me masat makroprudenciale përcaktohet niveli i instrumenteve makroprudenciale me qëllim të parandalimit, zvogëlimit ose eliminimit të rreziqeve sistemike në segmente të veçanta të sistemit financiar ose në sistemin financiar në tërësi. Masat makroprudenciale të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, në përputhje me ligjin, analizohen përmes treguesve makroprudencialë të përcaktuar, për të cilët Agjencia do ta informojë rregullisht publikun duke filluar nga prilli 2024.
TREGUESIT E STABILITETIT FINANCIAR TË TREGUT TË SIGURIMEVE, VITI 2023
TREGUESIT E STABILITETIT FINANCIAR PËR TREGUN E SIGURIMEVE NË VITIN 2024
TREGUESIT E STABILITETIT FINANCIAR TË TREGUT TË SIGURIMEVE, VITI 2025