Sigurim bujqësor kanë 180 vreshtarë në komunën e Negotinës dhe çdo i gjashti prej tyre ka raportuar dëme nga stuhia e fundit me breshër që ka dëmtuar vreshtat. Dëme materiale nga stuhia e fortë kanë raportuar edhe 19 persona të siguruar nga kjo komunë. Gjithsej 562 banorë të Negotinës kanë polica të sigurimit të pronës dhe kjo është vetëm 3 për qind e të gjithë banorëve të kësaj komune. Me këto 562 polica janë të siguruara 7% e banesave (shtëpive) në komunën e Negotinës.

Tridhjetë vreshtarë nga rajoni i Negotinës raportuan dëme në kompanitë e sigurimeve pas një stuhie të fortë me breshër që goditi këtë rajon në mes të gushtit. Gjithsej 180 persona fizikë të siguruar në komunën e Negotinës kanë policë të sigurimit bujqësor dhe çdo i gjashti prej tyre kanë raportuar dëme në vreshtat e tyre, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve (ASO) nga kompanitë e sigurimit.

Tre shoqëri sigurimesh kanë lidhur kontrata për sigurim bujqësor me fermerë, kryesisht vreshtarë, nga komuna e Negotinës. Për këtë periudhë janë gjithsej 188 sigurime bujqësore, prej të cilave 180 janë polica të fermerëve individualë dhe 8 kontrata sigurimi janë lidhur nga kompanitë e këtij rajoni që merren me vreshtarinë dhe bujqësinë.

Njëkohësisht më shumë se 50 vreshtarë që nuk kanë sigurim bujqësor kanë denoncuar dëme në administratën komunale me kërkesë që shteti t’u përcaktojë dhe t’u paguajë dëmshpërblim për një pjesë të dëmit të shkaktuar nga stuhia. Kjo praktikë, me të cilën shteti kompenson fermerët post-festum që për një kohë të gjatë i ka demotivuar për të siguruar të mbjellat dhe frutat e tyre, së shpejti do të shfuqizohet. Këtë e parashikon ligji i ri që po përgatitet, me të cilin sigurimet bujqësore do të bëhen të detyrueshme dhe shteti do të marrë pjesë aktive në rregullimin e proceseve në bashkëpunim me të gjitha kompanitë e sigurimeve jo-jetë.

Dëme në pronën e siguruar, pas stuhisë së fortë në Negotinë, kanë raportuar gjithsej 19 persona të siguruar, prej tyre 18 persona fizik dhe një kompani. Për këtë periudhë në territorin e komunës së Negotinës, të 11 kompanitë e sigurimeve jo-jetë kanë pasur 734 polica me të cilat kanë siguruar pasurinë. Prej tyre 562 kontrata të sigurimit të pronës janë për persona fizikë, ndërsa 172 polica kanë kompani dhe persona të tjerë juridikë me seli në Negotinë.

Krahasimi i të dhënave zyrtare nga regjistrimi i fundit i Entit Shtetëror të Statistikave të kryer vitin e kaluar dhe numri i policave aktive tregon se vetëm 3 për qind e banorëve të Komunës së Negotinës e kanë siguruar pronën e tyre.

Krahasimi i numrit të policave aktive për pronën e siguruar dhe numrit të njësive banesore në komunën e Negotinës, nga regjistrimi i fundit i vitit të kaluar, tregon se vetëm 7 për qind e banesave janë të siguruara.

 

Pse është i rëndësishëm sigurimi i pronës, çfarë mbulon dhe çfarë i duhet kushtuar vëmendje?

 

Sigurimi i pronës është i rëndësishëm sepse për një prim të vogël të paguar nga pronari i pronës në kompaninë e sigurimit, pronari i pronës merr një policë që e mbron atë nga një humbje e madhe që mund t’i ndodhë pronës të shkaktuar nga një rrezik i përcaktuar në vetë policën.

Përndryshe, nëse prona mbetet e pasiguruar, dëmet e shkaktuara për shkak të këtyre rreziqeve mund të jenë të mëdha dhe të vështira për t’u kompensuar për pronarin e pronës.

Gjatë lidhjes së policës së sigurimit, duhet të sigurohemi që shuma e siguruar të jetë adekuate me vlerën e pronës. Në rast se ndodh dëmtimi, shoqëria e sigurimit ka detyrimin të paguajë dëmshpërblim në masën e dëmit të pësuar.

Rreziqet më të zakonshme ndaj të cilave janë të ekspozuar fermerët janë fatkeqësitë e motit, si breshri, akulli, thatësira, era e fortë, reshjet e shumta etj. Prona e amvisërive dhe personave juridikë është më së shpeshti e ekspozuar ndaj rreziqeve nga zjarret, përmbytjet, tërmetet, rrufetë, lunja (erë shumë e fortë), shpërthimet, vjedhjet, derdhjet nga rrjeti i ujësjellësit, kanalizimit dhe ngrohjes dhe dëmtime të tjera të mundshme pronësore. .

Të gjitha informacionet në lidhje me sigurimin e pasurisë gjenden në dokumentin e titulluar Kushtet e Sigurimit të Pronës, të cilin çdo kompani sigurimi është e detyruar t’ia japë çdo të siguruari.

AMS veçanërisht rekomandon që të gjithë personat e siguruar, përpara se të blejnë një polic sigurimi, të lexojnë me kujdes Përjashtimet nga sigurimi, të cilat përcaktojnë se cilat rreziqe nuk mbulohen dhe për cilat nuk kërkohet kompensim.