Kjo risi parashikohet nga memorandumi trepalësh i bashkëpunimit i cili u nënshkrua sot nga AMS-ja, Fakulteti Ekonomik dhe Shoqata e Shoqërive të Sigurimeve. Njëkohësisht, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Sigurimeve, AMS-ja e ndau çmimin shkencëtari i ri për punimin më të mirë investigues në fushën e rreziqeve në sigurime në vlerë prej 80.000 denarësh. Në kuadër të aktivitetit u mbajtën panel diskutime ku përfaqësues të industrisë dhe rregullatorit shkëmbyen mendime dhe prezantuan pikëpamjet mbi sfidat më të mëdha për rritjen dhe zhvillimin e sigurimeve dhe mbrojtjen e të siguruarve.
Nëntë studentët më të mirë në vitin e katërt të Fakultetit Ekonomik në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup do të marrin bursa nga kompanitë e sigurimeve. Kjo risi është paraparë me Memorandumin trepalësh të Bashkëpunimit që u nënshkrua sot, në Ditën Kombëtare të Sigurimeve – 1 Nëntori, në Fakultetin Ekonomik, nga Prof. Dr. Kërste Shajnoski, Kryetar i Këshillit të Ekspertëve në Agjencinë e Mbikëqyrjes të Sigurimeve, Prof. Dr. Predrag Tërpeski, Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe Gjorgje Vojnoviq, Kryetar i Shoqatës së Organizatave Financiare pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, i cili është edhe Drejtor i Përgjithshëm i Triglav Osiguruvanje SH.A.
Iniciativa e AMS-së për bursa studentore mori mbështetje nga Fakulteti Ekonomik dhe u pranua nga nëntë shoqëri të sigurimeve: Triglav Osiguruvanje, Kroacija Osiguruvanje – jo-jetë, Eurolink, Grave Jo-Jetë, Halk Osiguruvanje, Euroins, Sava Osiguruvanje, Kroacija Osiguruvanje – Jetë dhe Grave. Secila nga kompanitë do të ndajë një bursë vjetore vlerë prej 1000 eurosh, në kundërvlerë të denarit.
Në fjalën e tij, Shajnoski theksoi se është i kënaqur me reagimin e kompanive ndaj iniciativës së AMS-së për bursa studentore dhe se me këtë pjesëmarrësit në tregun e sigurimeve treguan përgjegjësi të lartë sociale. Duke iu drejtuar të pranishmëve ai u tha studentëve:
“Ne jemi këtu për ju! Sepse ju jeni polica më cilësore e sigurimit afatgjatë për të gjithë ne. Ju meritoni absolutisht vëmendjen, kujdesin dhe angazhimin tonë të plotë, sepse ju, studentët, jeni e ardhmja e vendit tonë”
Dekani i Fakultetiti Ekonomik, Predrag Tërpeski, propozoi se studentët, së pari duhet të fillojnë të bëjnë mësime praktike pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Shoqatës së Siguruesve dhe Shoqërive të Sigurimeve që operojnë në tregun kombëtar të sigurimeve dhe të marrin njohuri të reja dhe mundësi punësimi në këtë sektor.
Kjo, sipas tij, hap perspektivën për të qenë pjesëmarrës aktivë në zhvillimin e ardhshëm të tregut të sigurimeve në vend.
“Së dyti, përfaqësuesit e institucioneve nga industria e sigurimeve duhet të angazhohen aktivisht me shembuj praktik në mësimdhënien e Fakultetit Ekonomik – Shkup dhe të transferojnë njohuri praktike te studentët tanë. Së treti, Fakulteti Ekonomik – Shkup duhet të përfshihet aktivisht në ngritjen e kulturës kombëtare të sigurimeve, si një nga faktorët për krijimin e një ambienti të favorshëm afarist dhe nxitjen e investimeve në ekonominë maqedonase”, thekson Tërpevski.
Për Gjorgje Vojnoviq, përfaqësues i biznesit të sigurimeve, edukimi është mjeti që thyen të gjitha barrierat dhe është baza e zhvillimit dhe rritjes, si individualisht ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
“Edukimi i publikut është në bazën e zhvillimit të industrisë së sigurimeve, prandaj po bëjmë përpjekje për të ngritur dhe përmirësuar edukimin financiar të të rinjve. Si industri ne shkojmë një hap më tej, duke mbajtur parasysh fuqinë dhe potencialin që ofron arsimi në zhvillimin e çdo individi. Prandaj, ishim të lumtur të mbështesim dhe t’i bashkohemi nismës së bursave për studentët në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, Shkup. Ne besojmë se kjo është mënyra e duhur për të zhvilluar kuadro cilësore në fushën e sigurimeve, e cila përfundimisht si iniciativë do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së sigurimeve, në hap me trendet botërore”, thotë Vojnoviq.
Në kuadër të këtij aktiviteti për shënimin e Ditës Kombëtare të Sigurimeve, u mbajtën dy panele diskutimesh. Në panelin e parë Shajnoski, Vojnoviq dhe Olivera Klinçarova, kryetare e Shoqatës së Brokerëve të Sigurimeve, diskutuan për temat aktuale që kanë të bëjnë me rritjen dhe zhvillimin e sigurimeve si dhe sfidat që i imponon këtij aktiviteti inflacioni i shkaktuar nga rritja e çmimeve globale, veçanërisht të energjisë.
Në panelin e dytë, Zllate Simonovski, anëtar i Këshillit të Ekspertëve të AMS-së, Ana Kletniçka, drejtoreshë dëmesh në “Euroins Osiguruvanje” dhe Hristo Kondovski, përfaqësues i Shoqërisë të Brokerimit në Sigurimeve “SN Broker” diskutuan për temën gjithnjë aktuale të mbrojtjes së të drejtave të të siguruarve, e cila është bazë për rritjen e kulturës së sigurimit.
Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe punimi shkencor-kërkimor, i vlerësuar me çmim, nga fusha e menaxhimit të riskut dhe sigurimeve, për të cilin AMS-ja e ndan tradicionalisht ndër vite. Autori i punimit të vlerësuar këtë vit është shkencëtari i ri Filip Peovski, asistent në Departamentin e Matematikës dhe Statistikës në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi”në Shkup. Në këtë manifestim, Shajnoski i dhuroi Peovskit pllaketën dhe çmimin prej 80.000 denarësh në emër të AMS-së.
1 Nëntori është Dita Kombëtare e Sigurimeve dhe gjithashtu edhe dita në të cilën 13 vite më parë filloi punën Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve. AMS-ja është organ i pavarur rregullator që rregullon tregun e sigurimeve, mbikëqyr punën e subjekteve të sigurimeve, kujdeset për mbrojtjen e të drejtave të policëmbajtësve dhe kontribuon në edukimin dhe përfshirjen financiare të popullatës.