Shkup 9 mars 2022

Tregu i sigurimeve në vitin 2021 u rrit me 15% dhe zhvillimet në Ukrainë nuk ndikojnë negativisht në tregun e sigurimeve. Sa i përket menaxhimit të rrezikut, as nga ana e detyrimeve, as nga ana e aseteve, ne nuk jemi drejtpërdrejt të ekspozuar ndaj rreziqeve nga Ukraina, theksoi Dr. Kërste  Shajnoski, Kryetar i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë të Mbikëqyrjes të Sigurimeve në seancën e rregullt të Komitetit për Stabilitetit Financiar në të cilën morën pjesë përfaqësues të lartë të organeve rregullatore të sistemit financiar dhe të Ministrisë së Financave.

 

“Ajo që është edhe më e rëndësishme është se Shoqëritë e Sigurimeve kanë kapital që është katër herë më i lartë se shuma e kërkuar e marzhit të aftësisë paguese, gjë që konfirmon aftësinë paguese të lartë të subjekteve të tregut. Politikat konservative dhe rregullativa për vlerësimin e provigjoneve teknike dhe investimit të aseteve, si dhe cilësia e lartë e instrumenteve të përfshira në llogaritjen e kapitalit të shoqërive të sigurimeve, janë një bazë dhe garanci e mirë për ruajtjen e aftësisë paguese. Rritja e primit të shkruar bruto shkaktoi rritje edhe në anën e shpenzimeve, përkatësisht rritje të pagesave të dëmeve dhe shpenzimeve operative. Kjo kontribuon në përkeqësimin e performancës financiare. Zhvillimet në Ukrainë nuk ndikojnë negativisht në tregun e sigurimeve, sepse në drejtim të menaxhimit të rrezikut, as nga ana e detyrimeve, as nga ana e aseteve nuk jemi drejtpërdrejt të ekspozuar ndaj rreziqeve nga Ukraina”, tha Shajnoski.

Stabiliteti i kursit të denarit është i garantuar. Sistemi financiar është gjithashtu i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’iu përgjigjur sfidave që mund të lindin nga konflikti ruso-ukrainas, ashtu siç ka përballuar me sukses rreziqet gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Të gjitha shërbimet financiare ofrohen pa probleme dhe do të vazhdojnë të ofrohen, në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe sektorit korporativ. Rregullatorët kompetentë monitorojnë situatën në mënyrë të koordinuar dhe janë të gatshëm të veprojnë shpejt, të normativizojnë politikat në përputhje me rrethanat dhe të ruajnë stabilitetin financiar, i cili është prioritet.

Këto janë pjesë e konkluzioneve nga seanca e sotme e Komitetit të Stabilitetit Financiar, i cili shqyrtoi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar në kuadër të zhvillimeve aktuale gjeopolitike lidhur me konfliktin ushtarak në Ukrainë. Seancën e drejtoi Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, ku morën pjesë Ministri i Financave, Fatmir Besimi, Kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), Nora Aliti, Kryetari i Bordit të Ekspertët të Agjencisë të Mbikëqyrjes të Financimit Kapital (MAPAS), Maksud Ali dhe kryetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë të Mbikëqyrjes të Sigurimeve (AMS), Kërste Shajnoski.

Në seancë u theksua se që nga fillimi i konfliktit ruso-ukrainas, situata monitorohet nga afër dhe vlerësohet vazhdimisht. Duke qenë se kjo është një goditje joekonomike, zhvillimi i të cilit në të ardhmen është i vështirë të parashikohet, është shumë herët për të nxjerrë përfundime për ndikimin afatgjatë në ekonominë e brendshme. Megjithatë, e sigurt është se deri më tani nuk ka pasur ndikime direkte më të theksuara në sektorin financiar të brendshëm dhe as që priten, për shkak të lidhjeve shumë të dobëta financiare me Rusinë dhe Ukrainën. Një faktor shtesë është mungesa e kapitalit nga këto dy vende në sektorin bankar vendas. Ky është një avantazh i rëndësishëm në këto rrethana, veçanërisht duke pasur parasysh sfidat me të cilat përballen disa nga vendet fqinje ku bankat ruse ishin të pranishme.

Guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se rezervat devizore janë në nivel të lartë, gjë që garanton stabilitetin e denarit, ndërsa sektori bankar i vendit është i besueshëm, likuid dhe i kapitalizuar në mënyrë adekuate, i gatshëm të përballet me goditjet e mundshme.

“Gjatë krizës së koronës, sektori bankar ka treguar se di të amortizojë rreziqet edhe kur ato janë të reja dhe deri më tani të papara, si në përmasa ashtu edhe në karakteristika. Sektori bankar ka treguar se është në gjendje të mbështesë ekonominë në kushte komplekse dhe t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe sektorit të korporatave. Sipas të gjithë treguesve, kapacitetet e tilla ruhen dhe forcohen edhe më tej në këtë periudhë”, theksoi Guvernatorja Angelovska-Bezhoska.

Ajo shtoi se konfirmim i politikave përkatëse është vendimi i KE-së, i cili vlerëson se rregullativa dhe mbikëqyrja bankare që zbaton Banka Popullore janë në përputhje me standardet e BE-së, të cilat i përmbushin vetëm 26 vende të tjera në botë.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se krizat e kaluara ekonomike botërore – kriza globale financiare dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia, na kanë mësuar se një sistem financiar i shëndetshëm mund të absorbojë një pjesë të goditjeve  të jashtme. Prandaj, është i rëndësishëm një koordinim i mirë ndërmjet rregullatorëve financiarë, për të monitoruar nga afër situatën dhe për të marrë masat dhe politikat e duhura.

“Politika fiskale do të pozicionohet në mënyrë të tillë që përmes masave dhe politikave të duhura të amortizohen goditjet që do të vijnë nga jashtë për ekonominë e brendshme dhe standardin e qytetarëve. Ato do të vijnë nga ekonomia evropiane dhe do të ndikojnë kryesisht në konsum, nëpërmjet presioneve të çmimeve nga produktet primare të importuara. Nëpërmjet politikës fiskale do të përpiqemi që qytetarët dhe ekonomia t’i amortizojnë këto presione. Tashmë janë përgatitur një sërë masash kundër krizës, të cilat Qeveria do t’i prezantojë së shpejti”, theksoi Besimi.

Duke iu referuar situatës në tregun maqedonas të kapitalit pas përshkallëzimit të konfliktit ruso-ukrainas dhe sfidave që u imponuan, kryetarja e KSHZ-së, Nora Aliti, theksoi se ato fillimisht patën një ndikim negativ në tregëtimin në bursë, shoqëruar me një rënie të njëhershme prej 8.39% në MBI 10 në ditën e bursës kur nisë veprimet luftarake, deri në tregtimin e normalizuar dhe të zakonshëm, pa shenjë dramatike. Vlera neto e fondeve të investimeve të hapura, në muajin shkurt, është ulur me 2.4% krahasuar me muajin janar. Flukset hyrëse janë të qëndrueshme, ndërsa daljet janë lehtësisht të rritura (7.34%). Tregues të tillë për fondet hyjnë në dinamikën standarde dhe nuk ka devijime të dukshme nga gjendja e tyre. Duke pasur parasysh se vlera e investimeve në letrat me vlerë të kompanive ruse është rreth 1,5 milionë euro, ose 0,76% e vlerës totale neto të të gjitha fondeve të investimeve të hapura, pritej një proporcion i tillë i ndikimit negativ”, tha kryetarja e KLV-së

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS-it, Maksud Ali, theksoi se gjatë krizës shëndetësore-energjetike dhe zhvillimeve aktuale gjeopolitike, sigurimet pensionale të financimit kapital funksionon në mënyrë stabile dhe transparente me rreziqe të identifikuara që analizohen dhe kontrollohen në baza të rregullta dhe brenda normave të rregullta, me vëmendje të veçantë për investimin e fondeve të pensioneve. Si pasojë e situatës së re, MAPAS monitoron nga afër reagimin e shoqërive pensionale në drejtim të strategjive dhe taktikave të investimit të tyre për arritjen e produktivitetit më të lartë, vetëm në favor të anëtarëve të fondeve pensionale.

Në takim u theksua se të gjithë rregullatorët financiarë do të vazhdojnë me monitorimin e koordinuar të situatës dhe shkëmbimin në kohë të të gjitha informacioneve relevante dhe se janë të gatshëm t’i përgjigjen në mënyrë adekuate zhvillimeve, secili në kompetencën e mandatit të tij. U arrit në përfundimin se të gjithë rregullatorët e sistemit financiar kanë një gamë të mjaftueshme instrumentesh që mund t’i përdorin nëse është e nevojshme, gjë që garanton ruajtjen e stabilitetit financiar në periudhën e ardhshme.