Punëtori dy-ditore për monitorimin e situatës dhe harmonizimin e aktiviteteve që do të ndërmerren nga organet rregullatore dhe industria financiare, me ndihmën e partnerëve të huaj, me qëllim zbatimin e Strategjisë së parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare të popullatës.
Zbatimi i suksesshëm i Strategjisë së parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare. Për këtë, dje dhe sot, rregullatorët financiarë, në kuadër të Trupit Koordinues për Edukimin Financiar dhe Përfshirjen Financiare, së bashku me Rrjetin Ndërkombëtar të Edukimit Financiar të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (INFE-OECD) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave të Holandës, organizuan punëtori në kuadër të programit Konstituenca dhe programi “Maniuajs” (Money Wise).
Dita e parë e punëtorisë iu kushtua zbatimit të suksesshëm të Strategjisë – “Përpjekjet e Koordinuara për Forcimin e Edukimit Financiar në Maqedoninë e Veriut”. Në ditën e dytë të punëtorisë do të diskutohen sfidat në fushën e edukimit financiar në lidhje me shërbimet financiare digjitale.
Përveç rregullatorëve financiarë, në punëtori marrin pjesë banka, shtëpi kursimi, kompani pensionesh, shoqëri sigurimesh, ndërmjetësues në sigurime, kompani menaxhuese të fondeve të investimeve, shoqëri brokerimi, bursa, depozituesi qendror i letrave me vlerë dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në sistemin financiar, dhe më e rëndësishmja, përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile – të të gjitha shoqatave dhe asociacioneve që deri më tani kanë shprehur interes dhe gatishmëri për të zbatuar aktivitete në fushën e edukimit financiar dhe në mbrojtjen e konsumatorit.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e edukimit financiar në një sistem financiar dinamik dhe novator, ekziston një nevojë e vërtetë për një qasje sistemike në zbatimin e Strategjisë së miratuar për Edukimin Financiar dhe Përfshirjen Financiare. Banka Popullore së bashku me rregullatorët e tjerë financiarë kanë një rol udhëheqës në këtë proces. Sipas rezultateve të sondazhit të fundit mbi edukimin financiar të popullsisë së rritur në Evropën Juglindore, të kryer nga OECD, Banka Popullore spikat si banka qendrore në rajonin në të cilin popullsia vendase ka më shumë besim si një institucion që ofron edukim financiar. Sidoqoftë, pjesëmarrja aktive e aktorëve të tjerë, nga sektori privat dhe civil, është veçanërisht e rëndësishme për të arritur qëllimet dhe misionin që kemi vendosur para nesh”- tha Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, në fjalën e saj në hapjen e këtij eventi.
Në hapjen e punëtorisë foli edhe zëvendësministri i Financave, Dimitar Kovaçevski.
“Pandemia në dy vitet e fundit ka vendosur synime të reja për ne. Investimet në arsim pa dyshim duhet të jenë me interesin më të madh për shoqërinë. Nëse duam të arrijmë rritje gjithëpërfshirëse, duhet të investojmë në kapitalin njerëzor, arsimin dhe përmirësimin e kualifikimeve. Investimet në kapitalin njerëzor kontribuojnë në aftësi më të mira, rritjen e produktivitetit dhe rritjen e përshpejtuar ekonomik, si dhe në zvogëlimin e varfërisë dhe pabarazisë,” tha zëvendësministri Kovaçevski, duke shtuar se vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie më të arsimuar.
“Besoj fuqimisht se nëse konsumatorët potencialë të shërbimeve të sigurimeve janë të arsimuar mirë dhe kanë njohuri të mjaftueshme për të identifikuar dhe shprehur qartë nevojat e tyre të sigurimit, hapësira për interpretime në anën e ofrimit të shërbimit të sigurimit do të ngushtohet ndjeshëm, kështu që do të ulet ndjeshëm edhe pakënaqësia dhe numri i ankesave apo ankimimeve. Edukimi në anën e kërkesës, respektivisht për konsumin e shërbimeve të sigurimeve duhet të bëhet nga të gjithë faktorët e tregut ose të shoqërisë”, theksoi Kërste Shajnoski, Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të AMS-së .
“Bota moderne e financave – e globalizuar, novatore dhe plot informacion, ofron një sërë mënyrash formale të edukimit financiar individual. Megjithatë, rezultate më të mira mund të arrihen me një qasje apo akses institucional. Kështu, shoqëritë kanë nevojë për një akses të koordinuar dhe aktiv edhe ndaj niveleve më të larta të edukimit financiar. Kodi i ri i Praktikave të Mira për Edukimin Financiar i orienton programet dhe aktivitetet e edukimit financiar që do të hartohen dhe zbatohen si mjete për të rritur edukimin financiar dhe mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare. Kjo bëhet me shpresën se programe dhe aktivitete të tilla do të lehtësojnë marrjen e vendimeve më të mira në lidhje me përdorimin dhe menaxhimin e shërbimeve financiare dhe menaxhimin e rrezikut, duke zbutur kështu efektet e mundshme negative. Kodi do të vendosë të gjitha parimet që do të zbatohen me zbatimin e Strategjisë kombëtare për edukimin financiar të popullsisë në vendin tonë nga sektori publik, privat dhe civil të cilët do të përfshihen në këtë aktivitet. “- tha Kiril Jovanovski, komisioner në Komisionin e Letrave me Vlerë.
Nga Agjenscia për Mbikëqyrjen e Finansimit Kapital të Sigurimit Pensional në hapjen e punëtorisë foli, Darko Sazdov, anëtar i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS.
“Në trendet e reja ekonomike, kur shërbimet- fintek janë gjithnjë e më shumë pjesë e realitetit tonë, ekziston një nevojë në rritje për transformimin e sistemeve dhe dixhitalizimin e tyre, kështu që një nivel më i lartë i edukimit financiar do të jetë një parakusht themelor për rritjen e të kuptuarit të sistemit të pensioneve dhe produkteve pensionale. E gjithë kjo nënkupton nevojën për përkushtim më të madh ndaj aktiviteteve të mbrojtjes së konsumatorit. Si rregullator financiar, ne jemi të përfshirë në mënyrë aktive në procesin e përgjithshëm, veçanërisht në pjesën për mbrojtjen e anëtarëve aktualë dhe të ardhshëm të sistemit të pensioneve dhe analizën e nevojës për të përmirësuar rregulloren ekzistuese dhe harmonizimin e saj me standardet evropiane në këtë fushë. Në këtë fushë, një sfidë e veçantë për ne është vendosja e mbikëqyrjes së praktikave të biznesit të subjekteve pensionale me një fokus të qartë në mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të fondeve pensionale duke rritur transparencën e sistemit, afatin dhe saktësinë në paraqitjen e rezultateve të sistemit, pra ofrimin e shërbimit dhe produktit më të mirë për klientin. “- theksoi Sazdov.
Nga Ministria holandeze e Financave theksuan se pandemia dëshmoi edhe një herë rëndësinë e qëndrueshmërisë financiare për qytetarët.
“Ata që janë financiarisht të cënueshëm janë të parët që preken nga pasojat ekonomike të pandemisë. Edukimi financiar është një nga elementët më të rëndësishëm në përmirësimin e qëndrueshmërisë financiare të familjeve. Gjëja më e rëndësishme është të bashkëpunojmë në mënyrë që të ndihmojmë, veçanërisht qytetarët e cenueshëm financiarisht. Ne mund të arrijmë shumë së bashku dhe të mësojmë nga njëri -tjetri. Si Ministri e Financave të Holandës, ne kemi privilegjin të jemi organizatorë të platformës “MoneyWise”.
Kjo platformë është bashkëpunimi i vetëm midis shumë aktorëve të ndryshëm që synon të përmirësojë kapacitetin financiar të qytetarëve holandezë. Ministria gjithashtu ka krijuar një program për bashkëpunim teknik me vendet e Konstituencës sonë në FMN, Bankën Botërore dhe BERZH. Në projektin tonë me OECD, “Maniuajs” dhe Programi për Konstituencë i Ministrisë së Financave janë bashkuar për të mbështetur vendet nga Konstituenca në përforcimin e edukimit financiar, siç na tregojnë sot palët e interesuara në Maqedoninë e Veriut.” – u theksua në këtë evend nga përfaqësues të Minisitrisë holandeze.
Sipas OECD-së, vendi duhet përgëzuar për miratimin e Strategjisë së parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare dhe Kodin e Praktikave të Mira për Edukimin Financiar.
“OECD me kënaqësi ka dhënë mbështetje për zhvillimin e këtyre nismave të rëndësishme, të cilat dëshmojnë për angazhimin afatgjatë për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare të të gjithë palëve të interesuara kombëtarë dhe në veçanti të Bankës Popullore,” u theksua në hapjen e punëtorisë.
Në punëtori, u prezantuan rezultatet e sondazhit të fundit mbi edukimin financiar të popullatës madhore në Evropën Juglindore (2020), të kryer nga INFE-OECD, me një theks të veçantë në rezultatet për vendin tonë. Në këto rezultate evidentohen sferat në të cilat në periudhën e ardhshme do të intensifikohen aktivitetet për avancimin e njohurive financiare të popullatës, ku do të zbatohen qasjet më relevante dhe metodat më moderne të rekomanduara nga OECD. Në kuadër të eventit, u krye një sondazh online për të gjithë pjesëmarrësit, për nivelin e gatishmërisë së tyre dhe nevojës së përfshirjes në edukimin financiar në vend.
Gjatë ditës së djeshme, një sesion i veçantë iu kushtua aspektit kyç – përfshirjes së sektorit privat dhe shoqërisë civile në aktivitetet e edukimit financiar, ku u diskutua lidhur me rekomandimet dhe udhëzimet e INFE -OECD në këtë fushë dhe zbatimin e tyre adekuat në kontekstin lokal, në kuadër të Kodit të Praktikave të Mira, i cili u miratua kohët e fundit nga rregullatorët financiarë në vend.
Përfshirja financiare dhe mbrojtja e konsumatorit do të jenë temat që do të diskutohen sot në punëtori. Kështu, një theks i veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së konsumatorëve financiarë në epokën digjitale dhe do të paraqiten udhëzimet për politikat e INFE-OECD, me theks të veçantë në pritjet e rregullatorëve financiarë. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet tendencave të vërejtura gjatë pandemisë kovid-19, të cilat përshpejtuan procesin e digjitalizimit. Sesione të veçanta do të mbahen mbi rolin e edukimit financiar dixhital në mbështetjen e përdoruesve të shërbimeve dhe produkteve financiare dhe mbi praktikat e mira të edukimit financiar për popullatën për shërbimet financiare digjitale.
Përvojat dhe pikëpamjet e shkëmbyera, me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve nga INFE-OECD dhe nga Holanda, do të kontribuojnë më tej në zbatimin e suksesshëm të Strategjisë së parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare, e cila u miratua në korrik të këtij viti dhe u zhvillua në kuadër të një projekti rajonal i koordinuar nga INFE-OECD dhe Ministria e Financave e Holandës. Zbatimi i tij tashmë ka filluar, dhe ndër të tjera, kohët e fundit u miratua edhe Kodi i parë i Praktikave të Mira për Edukimin Financiar.